Ujësjellës Kanalizime Durrës vazhdon kontrollin për lidhjet e paligjshme në rrjetin e furnizimit me ujë të pijshëm. Reparti i Shijakut ka kryer gjatë ditës së sotme kontrolle në aksin Maminas-Vorë, duke bërë të mundur evidentimin dhe prerjen e 25 lidhjeve të paligjishme që abuzonin me ujin e pijshëm. Përgjegjësi i repartit të Shijakut Ivo Doci i ka bërë thirrje abonentëve privatë dhe familjarë që të mos dëmtojnë rrjetin e ujit të pijshëm dhe nëse kanë bërë lidhje të paligjshme t’i shkëpusin sa më parë, përndryshe do të dërgohen për ndjekje penale.

Thatësira e tejzgjatur ka krijuar probleme në furnizimin me ujë për zonën e fshatrave dhe atë të Shijakut. Për këtë arsye reparti që mbulon zonën në fjalë për furnizimin me ujë ka kryer kontrolle të vazhdueshme gjatë gjithë verës me qëllim furnizimin normal me ujë të pijshëm për të gjithë banorët. Ujësjellës Kanalizime Durrës paralajmëron abuzuesit e ujit të pijshëm që të marrin masa dhe të pajisen me kontrata pasi në muajin shtator fillon fushata e denoncimit bashkë me policinë gjatë së cilës do të ndiqet penalisht kushdo që kapet me lidhje të paligjshme.