Dilaver Bojku, i njohur me nofkën Leku, personi që u vra pasditen e sotme në Strugë, ka lindur në vitin 1959 në Veleshtë të Strugës. Ai u be i njohur, në radhë të parë për policinë e Maqedonisë, e më vonë edhe për Interpolin dhe FBI-në amerikane, si dhe për publikun më të gjerë, për aktivitet e tij të shumta kriminale, në radhë të parë për prostitucion.
Si i ri, pas një qëndrimi në Zvicër, ku punon në ndërtim, në vitet ’80 kthehet në Maqedoni.
Atje hap klube nate, ku ofrohej nder te tjera prostitucion dhe droge.
Deri ne vitin 2000, ai ka operuar në linjën Ballkan-Evropë, duke sjellë prostituta nga shtetet e ish-Jugosllavisë, Ukraina, Molldavia dhe duke çuar si klandestine në vendet e Bashkimit Evropian shqiptarë, kurdë, pakistanezë dhe afgane.
Me punë operative dhe me bashkëpunim të FBI-së (dega Budapest) me policitë evropiane, Bojku identifikohet, grumbullohen dëshmi për punët kriminale dhe shpallet fletarrest ndërkombëtar, shkruan Expressi.
Në shkurt të vitit 2003 arrestohet nga policia e Maqedonisë, me ç’rast në klubet e tij zbulohen dhjetra vajza që kanë qëndruar ilegalisht në vend. Gjykata e Strugës e dënon me 6 muaj burg për mbajtje të një femre pa dëshirën e saj, gjë që në opinion pritet me habi të madhe, për shkak të dënimit të butë që i është shqiptuar. Pas ankesës së prokurorisë dënimi i rritet në 3 vjet.
Më 20 qershor 2003, derisa transportohej nga burgu me siguri të ulët, i ik policisë. Marshallët amerikanë madje shpallin shpërblim prej 10.000 dollarë për atë që do të ndihmojë në zënien e Bojkut.
Për arratisjen e tij nga burgu, së shkruan Expressi, kanë shkruar edhe mediat botërore, si The New York Times, Guardian etj.
Rreth dy javë pasi ik nga burgu i Strugës, arrestohet në Ulqin të Malit të Zi, prej nga kishte planifikuar të braktiset, fillimisht për Itali, e më pas për Brazil.
Sidoqoftë, Bojku kthehet në Maqedoni ku e vuan dënimin, ndërsa pas daljes nga burgu humb edhe nga fokusi i publikut dhe mediave dhe për të dihet se i është rrekur biznesit me hotelieri dhe turizëm. /Gazeta Express