Motra e ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha është ndarë nga jeta dje. Burimet thonë për “Panorama” se ajo u nda nga jeta në moshën 77-vjeçare.
Bëhet fjalë për Hajrie Osmanin. Ajo jetonte prej kohësh në Kodër-Kamëz. Nuk dihet shkaku i ndarjes nga jeta.
Ish-kryeministri Berisha ka patur edhe një vëlla, Selim Berishën, i cili është ndarë nga jeta në kohën e komunizmit.
Intervista qe motra e Berishes, Hajria dha për “Standard”, ne 2010, kur foli në mënyrë krejtësisht të sinqertë, për vitet e fëmijërisë dhe kujtimet me vëllain e vogël, Saliun.
Znj. Hajrie, të gjithë mysafirët dilni dhe i prisni tek porta, siç bëtë tani me mua?
Po, sepse është në traditën tonë familjare që të respektojmë mysafirët që shkelin në shtëpinë tonë. Këtë gjë kam parë tek prindërit e mi, këtë gjë gjeta dhe tek shtëpia e burrit tim, Dem Osmani, në fshatin Margegaj në Tropojë. Respekti ndaj njerëzve është ndër mësimet e para që na mësojnë prindërit. Këtë gjë bëri baba dhe nana me mua dhe dy vëllezërit e mi, madje edhe kur i përcjell, i përcjell deri te porta. Të njëjtën gjë do bëj edhe me ty (qesh).
Shoh që jeni e rrethuar nga nipat e mbesat. Ata janë dita juaj?
Janë gëzimi i pleqërisë sime. I dua shumë. Jam nëna e 5 fëmijëve dhe kam 13 nipa dhe mbesa. Pjesën më të madhe të tyre i kam këtu. Kalojmë një pjesë të mirë të ditës unë dhe burri im me ta. Por gjatë ditës bëj edhe punë shtëpie. Merrem me kopshtin. Dal bëj pazar. Vizita të ndryshme. Me një fjalë nuk i ndjej ditët. I kaloj shumë mirë, ndonëse dikur e kisha mall kohën e lirë. Kam punuar në kooperativë derisa ato u mbyllën. Një punë mjaft e lodhshme, duke marrë parasysh faktin se më duhej të rrisja edhe 5 fëmijët. Por sot në këtë moshë ndihem mirë.
(Ndërpret bisedën, pasi njëra nga mbesat e saj ndalon pultin e televizionit tek lajmet dhe në ekran shfaqet Kryeministri i vendit, teksa replikon në sallë me deputetin e PS-së, Braçe)
Ju bëjnë të ndjeheni keq skena të tilla debati dhe sulmi ndaj vëllait tuaj?
Normalisht nuk më vjen mirë…. Por nuk është se jam shqetësuar shumë nga këto sulme, pasi e majta, përherë kam pasur përshtypjen se e ka akuzuar Saliun pa fakte dhe dokumente. Ka sulmuar si në tym dhe kjo më mundon më shumë.
Në datën 15 tetor, Kryeministri Berisha kishte ditëlindjen. E uruat?
Po. Sigurisht. I çova mesazh me telefon, pasi Saliu ishte në Bruksel. Pastaj më ktheu përgjigje, duke më thënë dadë (i thuhet motrës me përkëdheli), faleminderit, edhe ti jetë të gjatë.
Jo rrallë z. Berisha nuk ka mundur të fshehë debulesën për motrën e vetme, qoftë dhe në mënyrë publike, duke thënë se ju e keni mbajtur shumë afër atë kur ishte i vogël. Kjo besoj ju sjell në mend kujtimet e asaj kohe?
Saliu është 5 vjet më i vogël se unë dhe si i tillë, kujdesesha shumë për të. Përherë më ka thirrur dadë, edhe sot më thërret kështu. Kur isha 7 vjeçe dhe ai 2 vjeç, mbaj mend që e përkundja shumë në djep, edhe për t’i ardhur në ndihmë nënës sime e cila lodhej shumë, qoftë me fëmijët, qoftë me punët e shtëpisë. Pastaj kur Saliu filloi të rritej pak nga pak e merrja (kalistraf), hopa në shpinë pasi e merrte gjumi pranë oxhakut dhe unë e çoja lart në dhomën e gjumit, në krevat. Kishte shumë qejf kur e mbaja në shpinë. Dhe e mbaja aq shumë, saqë njëherë kur po punoja punë me grep, kisha harruar krrabzat (grepat) në qafë dhe teksa e kisha hipur në shpinë Saliun e vogël, desh i verbova sytë. Nga frika se mos e bëra një gjë të tillë, bërtita me të madhe sa erdhi nëna dhe e trembur pyeti çfarë ka ndodhur. Por u gëzuam të dyja kur pamë që vëllai i vogël kishte shpëtuar nga sytë për mrekulli.
Si shkonte me mësimet në shkollë?
Jashtëzakonisht shumë mirë. Bashkë me Saliun mësonim në shkollën e Tropojës së vjetër. E kishim shumë afër nga Viçidoli. Shkonim bashkë dhe ktheheshim bashkë. Merresha me detyrat e tij, por nuk më lodhte kurrë, sepse kishte vullnet për të mësuar.
Çfarë të befasonte tek ai në atë moshë?
Nuk kisha nevojë t’i thosha hajde dhe të bëjmë detyrat apo të lexonte. Në të shumtën e kohës i merrte ai i pari librat dhe më thërriste mua, ndërsa bëja edhe ndonjë punë në shtëpi. Pastaj kur u rrit, ndryshoi zakon. Nëna kulloste bagëtinë tutje nga fshati dhe Saliu sapo vinte nga shkolla, nuk e hiqte çantën e librave, por vinte në shtëpi kërkonte bukë dhe nuk hante brenda. Ai e merrte bukën me vete, e hante rrugës, merrte çantën e shkollës mbi shpinë dhe ikte me vrap tek nëna që ta ndihmonte për të ruajtur bagëtinë. Njëkohësisht mësonte dhe librat.
Më thoni diçka që e bënte më të dallueshëm nga bashkëmoshatarët e tij?
Ishte shumë kureshtar dhe kishte një vullnet të çuditshëm për gjërat. Ndonëse kishte pikë të dobët nënën, Saliu rrinte shumë kohë me babën, dhe atë e “bombardonte” me pyetje. E pyeste për gjithçka dhe baba kishte durim të paparë me të. I tregonte dhe i mësonte gjithçka. Im atë ishte një burrë i zgjuar, lexonte shumë, mbante libra dhe romane nëpër arka druri në shtëpi. Kjo ishte një mundësi shumë e mirë për Saliun që të ecte përpara. Ata të dy ishin shumë të lidhur bashkë. Leximi u përcoll dashur pa dashur edhe tek Saliu i vogël. Ka pasur shumë gojë, domethënë orator dhe mbi të gjitha i etur për të mësuar sa më shumë gjëra që në moshë të njomë. Ka qenë dhe i papërtueshëm. Çfarëdo gjëje që t’i thoshim për ta bërë, ai nuk hezitonte, e bënte.
Çfarë i pëlqente më shumë, cilën nga lëndët e shkollës e hapte me më shumë dëshirë?
Kishte qejf të lexonte dhe i pëlqente leximi. Por edhe vjershat. Mbante mend shumë. Kishte dhe ka kujtesë shumë të fortë. Më kujtohet një ditë kur erdhi nga Boka (vend kullote për bagëtitë) me nënën, ndërsa po hiqte çantën nga shpina, filloi të recitonte vjershën e Oso Kukës. Dhe recitimi i tij zgjati, pasi vjersha ishte shumë e gjatë. E kishte mësuar në klasë dhe pasdite e përsëriste në shtëpi. E recitonte nëpër oborr, hynte dhe dilte atë ditë me “Oso Kukën” në gojë. Kishte një kujtesë që na befasonte të gjithëve. E kishte mësuar përmendësh teksa ruante bagëtinë. Pastaj ne kishim një gjë, detyroheshim të mbaronim detyrat shpejt dhe mësimet, pasi në darkë errësohej dhe në atë kohë nuk kishte drita. Shikonim vetëm me kandil.
Ka qenë fëmijë i rrëmbyer, nevrik?
Jo aspak. Ishte shumë i shtruar dhe merrte vesh të mëdhenjtë çfarë i thoshin. Kureshtar për të mësuar çdo gjë. E vetmja gjë që e bënte me nerva, nëse mund të thuhet kështu, ishte kur dëgjonte për ndonjë hajdut që vidhte. I “urrente” në njëfarë mënyre ata që preknin gjënë e tjetrit.
Më tregoni një rast…
Po. Kur Saliu ishte student, një shoku i tij kishte vjedhur në konvikt dhe ishte bërë një problem i madh, pasi drejtuesit e fakultetit donin që t’i jepnin një “ndëshkim” pasi kishte vjedhur. Ndaj mblodhën disa studentë të konviktit për të marrë mendimin e tyre ndaj shfaqjes së ulët të studentit. Mes tyre ishte edhe Saliu dhe ai nuk e ka mbrojtur, sepse nuk i duronte dot hajdutët. Dhe kur erdhi për pushimet e verës, Saliu na e tregoi si rast, pasi i kishte bërë shumë përshtypje sjellja e studentit dhe ndonëse kishte dashur që ai të mos ndëshkohej, nuk e kishte mbrojtur. Hajdutëria ishte ajo që e nervozonte më tepër Saliun.
Kam dëgjuar se vëllai juaj ka qenë një notar i mirë kur ishte i vogël. Madje, në një nga mbledhjet e qeverisë nuk nguroi të tregonte se kushedi sa herë është lartë në ujërat e Myhejanit. Ka qenë vërtet kështu?
(Qesh). Notar i mirë nuk mund të them… Pas mësimit, sidomos të dielave që e kishte pushim, shkonte me disa nga moshatarët e tij dhe bënin not pikërisht në ato ujëra. Ishin të pastra dhe thellësia i përshtatej trupit të tyre, pasi ishin ende të parritur. Madje, ndodhte që në breg të lumit, Saliut t’i gjeje dhe çantën me librat.
…Aq sa t’i bënte librat “ujë”…?
(Qesh). Jo, jo. Ndodhte që ai nisej për not me shokët dhe në momentet e fundit i ndërronte mendja dhe nuk hynte në ujë, por ulej në breg të lumit dhe lexonte librat e shkollës, ose ndonjë gjë që i kishte dhënë baba nga librat e tij. Ndërkohë që Saliu lexonte, shokët e tij bënin not duke u kënaqur me ujin e pastër të lumit që e përshkonte gjithë Tropojën e Vjetër.
Ju thatë që Saliu ka qenë orator, kishte gojë. Mirëpo një shprehje tropojane thotë: goja të vjerr, goja të nxjerr…
Saliu ishte shumë i kujdesshëm. Kishte dhe një gjë, që fjalët e tij mbeteshin dhe përmendeshin. Më kujtohet një rast kur Saliu ishte akoma fëmijë: një grua e fisit tonë Berisha, e prekur nga biografia, do të shkonte në fshatin Babinë, tek të afërmit e saj, që ishin kulakë. Por nuk duhej ta merrte vesh njeri dhe këtë gjë, ne po e diskutonim me zë të ulët në shtëpi. Kur krejt pa e menduar foli Saliu që e kishte marrë me mend se si ishte problemi, kur i thotë asaj gruas: “kulaç të keq më duket se po i gatuan djalit tënd…”. Realisht ashtu ishte dhe Saliu i kuptonte shumë shpejt gjërat, dhe ishte shumë i vëmendshëm ndaj tyre. Nuk i shpëtonte asgjë. Kishte një zgjuarsi të veçantë.
Çdo fëmijë ka të mirat dhe të metat e veta. Ju kujtohet ndonjë e metë që shfaqte Saliu i vogël?
Nuk mund të them të meta, pasi Saliu vërtet ishte një fëmijë i mbarë. Por nganjëherë ngacmohej me fëmijët në shkollë, sepse kishte dhe nga ata që e bezdisnin, sepse nuk kishin mendje për të mësuar, kurse Saliu donte vetëm të mësonte. E thërrisnin për të luajtur pas mësimit, por vëllai im nuk para luante. Vinte në shtëpi me vrap dhe nxitonte tek nëna për ta ndihmuar, duke marrë librat me vete. Por kjo gjë i shqetësonte shokët e tij, të cilët këmbëngulnin që ai të luante me ta të nesërmen dhe refuzimi çonte nganjëherë dhe në zënka fëmijësh.
Për çfarë shqetësohej kur ishte i ri?
Ishte koha kur kishte mbaruar shkollën e mesme, për mjekësi në Tiranë. Ndonëse kishte rezultate shumë të mira, shikoja që ishte i shqetësuar nëse do t’i dilte apo jo shkolla e lartë. Atë verë kishim dalë në bjeshkë (Rreshkëz quhej bjeshka jonë e Viçidolit) të gjithë dhe e ndjeja stresin e tij. Një herë e pyeta se pse rrinte i shqetësuar dhe më tha që kam frikë se nuk do më dalë shkolla e lartë. Por tri ditë më pas na erdhi lajmi që atij i kishte dalë e drejta e studimit. Nuk kishte gëzim më të madh në familje. Me vëllain e madh, lalën (Selimin), kishim pasur probleme me shkollën e lartë. Pasi bëri dy vjet në Shkodër për histori-gjeografi, ja ndërprenë studimet dhe nuk e kuptuam arsyen. Lala u detyrua të shkonte ushtar në Pogradec dhe vetëm pasi e mbaroi ushtrinë ia dhanë sërish të drejtën për të vazhduar shollën e lartë. Ndaj ishte gëzim për ne bursa që iu dha Saliut. Pas lajmit zbritëm nga bjeshka dhe erdhën në shtëpi. Saliu u bë gati për të ikur sërish drejt Tiranës dhe me vete më shumë kishte libra në valixhe sesa rroba.
Kur nisi studimet e larta, a u ftohën marrëdhëniet motër-vëlla?
Jo nuk u ftohën, përkundrazi u bë një marrëdhënie më e fortë, ndonëse Saliu vinte më rrallë në shtëpi dhe në atë kohë kishte shumë pak mundësi komunikimi. Lidhja jonë nuk cenohej nga largësia kurrsesi.
Në moshën e fëmijërisë së tij, ju u kujdesët shumë për të. Por kur Saliu u rrit, a bëri siç duhet rolin e vëllait?
Saliu përherë ka qenë një vëlla i dashur për mua. Kur doli me rrogë më bënte shumë dhurata. Më blinte gjëra. Por edhe më çonte lekë nga Tirana. Më kujtonte shpesh dhe jam e bindur se këtë gjë ai e bënte si një lloj kujdesje tashmë ndaj meje. Ndoshta kishim ndryshuar pozicionet. (qesh)
Mund të na kujtoni lidhjen e tij me Lirinë, si ia tregoi dashurinë e jetës familjes Berisha?
Të parit i tregoi lalës. Ndoshta ngaqë ishte dhe vëllai i madh. I kishte thënë që sapo kishte njohur një vajzë shumë të mirë dhe kishte ndërmend të kalonte jetën me të. Dhe pas pak kohësh, Saliu i çoi fjalë vëllait të madh që të shkonte në Tiranë dhe ta prezantonte me Lirinë dhe më pas ta kërkonin edhe në shtëpi. Lala na tregoi në shtëpi dhe u gëzuam shumë. Ai u nis drejt Tiranës ndërkohë që kërkoi dorën e saj.
Dhe çfarë përshtypje ju la nusja e re kur e patë për herë të parë?
Nuk gjej fjalë që ta përshkruaj. Sinqerisht. Përveçse Lili ishte një vajzë e bukur, shumë e hijshme, ajo reflektonte mirësi, dukej një vajzë e sjellshme dhe mjaft e thjeshtë që në komunikimin e parë me ne. Për ne ishte një gëzim. Ajo është një njeri i pritshëm mbi të gjitha. Shtëpia e saj në Tiranë u kthye si në një hotel jo vetëm për ne të familjes, por për çdo tropojan që trokiste në derën e tim vëllai. Saliu gjithë kohën ishte në punë, pasi si mjek, nuk kishte orar, dhe ishte Liria ajo që priste dhe përcillte çdo mysafir të largët. Përveç kësaj, 8 vite para se të vdiste baba, Saliu e mori në shtëpi në Tiranë, ndërkohë që nëna vajti tek lala në Llugaj deri sa vdiq.
Kjo do thotë që meshkujt e shtëpisë e braktisën që herët kullën e madhe në Tropojë?
Faktikisht po, sepse prindërit filluan të kishin shqetësime me shëndetin. Madje, unë kisha çuar vajzën time, Shpresën, që jetonte me ta. Ajo ndenji aty deri në klasë të shtatë dhe kujdesej për gjyshërit. Por mosha bëri të vetën duke u përkeqësuar shëndetin. Baba që kishte më shumë probleme, vajti tek Saliu që të ishte nën kontrollin e tij, kurse lala mori nënën në shtëpi. Ndaj deshën apo nuk deshën ata, në njëfarë mënyre e “braktisën” kullën 4-katëshe. Por aty lamë kushërinjtë tanë që jetonin dhe kujdeseshin për shtëpinë, pasi ne të Berishajve ishim derë e madhe e kishim plot farefis. Më pas në moshën 83-vjeçare vdiq baba, kurse nana ishte 79 vjeçe kur ndërroi jetë.
Kujt i ngjan më shumë Saliu dhe a e kishit menduar ndonjëherë se ai mund të ishte njeriu më i pushtetshëm i Shqipërisë?
Saliu nga pamja ngjet më shumë nga nana, kurse me tip i ngjan babës. Ai ishte shumë i zgjuar, siç ishte dhe mixha Zeqiri, (xhaxhai). Të dy kishin emër shumë të mirë në Malësinë e Gjakovës. Saliu i donte shumë dhe ata e kanë mbajtur shumë afër. Ka mësuar shumë prej tyre. Ndërkohë që Saliu ishte fëmijë shumë i shkathët dhe shumë i zgjuar. Nuk mund të them se e çonin ndonjëherë ndërmend se ai do të bëhej i famshëm, por zgjuarsia e tij që në moshë të vogël, na bënte optimist ne të familjes, se shumë shpejt ai do të ishte dikush në jetë. Realisht ashtu ndodhi.
Si e pritët hyrjen në politikë dhe protagonizmin e tij që në momentet e para të rrëzimit të diktaturës?
Saliu kishte shkruar një artikull kritik ndaj regjimit komunist në gazetën “Bashkimi” pak kohë para se të nisnin protestat. Madje, kishte folur dhe tek “Zëri i Amerikës” hapur fare. Atë ditë vajta tek dentisti, tek spitali i Bajram Currit dhe teksa prisja radhën, dikush që më njihte më thotë: “Është në terezi yt vëlla që kritikon sistemin?”. Nuk fola, por nuk e fsheha dot frikën që ndjeva në atë moment. Mund të ndodhte gjithçka. Ishte ende në fuqi komunizmi dhe Partia e Punës. Megjithatë, i dhashë kurajë vetes.
Besoj që frika më e madhe juaja ka qenë kur udhëhoqi protestat antikomuniste. Apo jo?
Kurrë më shumë se ato ditë nuk jam trembur për jetën e tij. Mund ta vrisnin. Djali i xhaxhait, Sulejmani, na tha se do vente në Tiranë që t’i bëhej krah. Dhe ashtu bëri. Shkoi atje dhe e takoi Saliun. I tha të bënte kujdes pasi dhe mund ta vrasin. Dhe Saliu iu përgjigj: “Punë e madhe, s’ka gjë, le të vrasin një njeri, por çlirohet një komb”. Sulejmani kishte lënë punën në Tropojë dhe kishte vajtur për Saliun në Tiranë dhe ai i tha: “Kthehu në Tropojë, dhe mbaj vendin e punës, se tani mund ta zënë të tjerët dhe mbetesh pa punë”.
Ju e dini që vëllai juaj tashmë është njeriu më popullor në Shqipëri? Çfarë ndjeni kur e shikoni në mitingje që mbledh aq shumë njerëz?
Mitingjet e tij i kam përjetuar me stres. Madje edhe sot që po flasim bashkë.
Pse?
Sepse përherë është brenda meje frika, se dikush është mes atyre njerëzve që nuk i do të mirën Saliut dhe qëmund ta rrezikojë edhe me jetë. Nuk u zihet besë të majtëve. Janë fakt 4 atentatet ndaj tij përgjatë 18 viteve pluralizëm. Ndaj kam frikë edhe në këtë kohë kur e shoh nëpër mitingje.
Cila është “mbrojtja” juaj që i bëni në të tilla raste atij?
I lutem Zotit përditë që ta ruajë nga njerëzit e këqij, dashakeqësit. Lutem çdo ditë për të dhe familjen e Saliut, sepse janë gjaku im dhe janë me të drejtën e Zotit.
Si u “injektua” tek Sali Berisha besimi ndaj Zotit?
Të dy prindërit e mi kanë qenë besimtarë. Në mënyrë të veçantë baba, i cili kishte lidhje të hershme me hoxhë të shumtë që kishin studiuar apo qëndruar në Turqi. Madje edhe në kohë të monizmit baba i falte pesë vaktet. Mbaj mend, kemi qenë fëmijë të vegjël dhe ai na mblidhte të tre ne fëmijëve dhe na fliste për Zotin. Këtë dashuri thoshte duhet ta mbani në zemër, t’i lutemi për të qenë njerëz të pastër në jetë, të ndershëm, që mos të prekim kurrë gjënë e tjetrit. Të gjitha porositë e tij mbetën në mendjen tonë.
Nga e gjente guximin që të agjëronte që në atë kohë?
Sepse kishte besimin e madh tek Zoti. Ndaj dhe në mënyrë shumë të fshehtë dhe me tepër kujdes. Ndoshta e ruajti vetë Zoti nga ndonjë rrezik që mund t’i sillte besimi. Në atë kohë kujtoj se kur baba ngrihej në syfyr, në 5 të mëngjesit për të ngrënë bukë, mbyllte dyer e dritare me shumë kujdes, që komshinjtë a ndokush i fshatit të mos e shikonte qoftë dhe rastësisht dritën e ndezur. Kur rreziku ishte shumë afër, kishte raste që baba hante syfyrin me dritë fikur, në errësirë.
Po yt vëlla, është po aq besimtarë sa i ati?
Saliu ka besuar dhe beson në Zot. Por ai nuk ndjek ritet. Kurse dy fëmijët e tij, Gita me Zenin agjërojnë. Janë besimtarë shumë të rregullt, kanë ngjarë nga baba Ramë. Edhe Liria beson, por njësoj si Saliu, nuk ndjekin ritet fetare.
Gjatë këtyre 18 viteve që vëllai juaj është në politikë, a keni përfituar prej tij?
Jo. Nuk do t’ia lejoja vetes një gjë të tillë. I vetmi favor dhe që i kam rënë shpesh Saliu në qafë ka qenë me ndihmën si doktor. Shumë të njohur, por edhe të panjohur, kanë ardhur tek unë dhe më kanë thënë që të flas me Saliun që t’i ndihmojë me ndonjë rekomandim për shëndetin e tyre tek mjekë të njohur të Tiranës. Pra për vizita mjekësore. Dhe për këtë unë i jam drejtuar Saliut edhe Lilit, dhe të dy më kanë ndihmuar për çdo hall të njerëzve që u kam thënë. Ky ka qenë favori i vetëm që kam kërkuar nga im vëlla.
Ju ka ndodhur që të dëgjoni njerëzit duke e sharë, apo kritikuar Saliun dhe si jeni ndjerë? Si keni reaguar në raste të tilla?
Më ka ndodhur. Rasti i fundit është para pak ditësh. Shkova në dyqan që të bëja pazar dhe shitësja kishte të ndezur televizorin. Në ato momente ishte një kronikë lajmesh ku fliste Saliu për luftën kundër korrupsionit. Në çast hyn një grua, goxha në moshë dhe sapo e sheh në televizor Saliun reagon shumë keq duke thënë: “Po po ky do e luftojë korrupsionin, asnjë gjë s’ka për të bërë, ja fut kot me këto që flet”. Shitësja që e dinte që unë isha motra e Kryeministrit, pa direkt nga unë, por nuk fola. Përkundrazi, ktheva kokën anash dhe nuk ia hodha sytë gruas që fliste për Saliun. Unë nuk reagoj. Është mendim i tyre dhe s’kam si të kundërpërgjigjem ashtu siç nuk ndërhyj tek Saliu për këto çështje. As nuk kam ndërmend ta bëj një gjë të tillë sa kohë ai është në politikë.
Megjithatë, raste të tilla pakënaqësie nuk ju fshehin dot krenarinë e të qenit motra e Kryeministrit të vendit…
Unë jam krenare që jam motra e Sali Berishës, qoftë Kryeministër, kryetar i PD-së, President, apo një qytetar i thjeshtë. Për mua ai është dhe mbetet vëllai më i mirë në botë, sepse është i tillë. Një njeri i dashur, i respektuar, që përpiqet të të ndihmojë, por mbi të gjitha ai është i drejtë. Ndaj siç më ka ndodhur që të dëgjoj njerëz që e shajnë, më kanë takuar edhe njerëz që e duan. Madje, kanë ardhur dhe më kanë dhënë dorën duke i uruar që të jetë me sa më shumë jetë, sepse tek ai shohin udhëheqësin e duhur. Por asnjëherë nuk kam ndenjur në të madh se jam motra e tij. Madje, para dy viteve, vjen tek shtëpia jonë një punonjës i ujësjellësit dhe pyeste për gjendjen e ujit, pasi zona jona ka probleme me ujin e pijshëm. Ai takoi dhëndrin tim dhe teksa po më pyeste, nuk e dinte se isha motra e Kryeministrit. Më pyeti: Nga të kemi moj nëne? I thashë thjesht që jam nga Tropoja. Më pas ai vijoi: qenke nga vendlindja e Kryeministrit. Dhe që mos të mburresha i thashë që “patriot e kam, demokrate e flaktë jam”. Ai qeshi teksa po shikonte edhe nga shtëpitë e fqinjëve për ujin. Më pas i tregoi dhëndri, Feriti dhe punonjësi i ujësjellësit u kthye edhe njëherë nga oborri jonë teksa më tha: “Të fshehtë e mban përherë që je motra e Berishës…”?
Kam një kuriozitet që dua të mësoj nga ju. Si ka mundësi që vëllai juaj edhe në moshën 64 vjeç e ka shikimin shumë të qartë dhe nuk përdor syze?
Saliu i ka ngjarë babës. Ai ka vdekur në moshën 83 vjeç dhe pa pasur nevojë kurrë të vërë syze. Geni i tij është përcjellë tek Saliu. Është e vërtetë që sheh shumë mirë. Në kohën kur ishte gjallë baba, mbaj mend që bënte garë me nipat dhe mbesat se kush lexonte më shpejt dhe më mirë. Dhe këtë ai e bënte pa pasur nevojën e syzeve.
Ju vetë gëzoni shëndet të mirë tani që do mbushni të 70-at dhe a konsultoheni për këtë me vëllanë tuaj që është edhe mjek?
Faleminderit prej Zotit, gëzoj shëndet të mirë. Kam pasur probleme me gjurin, mungesë lëngu në kocka, por e kalova shumë shpejt. Kam disi probleme me reumatizmën dhe për këtë jam këshilluar për një mjekim. Po më jep goxha efekt, pasi kam përmirësime të dukshme. Përherë im vëlla ka qenë dhe është i interesuar për shëndetin tim. Madje, nganjëherë shoh tek ai një kujdes edhe të tepruar. Kërkon që të jem korrekte me çdo lloj mjekimi dhe më paralajmëron që të bëjë kujdes për çdo gjë që ka të bëjë me shëndetin.
Tani që është Kryeministër, a flisni shpesh me të? Gjen kohën që të vijë dhe t’ju takojë?
Kur ishte në opozitë kishte më shumë kohë të lirë dhe vinte shpesh. Mblidheshim të gjithë bashkë. Tani që është Kryeministër është shumë më tepër i zënë dhe takimet e shpeshta të mëparshmet i kanë zëvendësuar telefonatat. Flas shpesh me të. Shkoj tek shtëpia e tij, e takoj dhe kuptoj që zemra ime është sërish plot.