Kryeministri Edi Rama është shprehur se Bashkimi Europian është një bekim për Shqipërinë teksa theksoi se “ndryshe do ta kishte të pamundur të bënte shtetin që po bën”. 

“Ne jemi nxënës ambicioz në këtë proces”, iu drejtua kryeministri ambasadorit të BE-së Silvio Gonzato në konferencën për raport progresin. 

“Është një bazë e pazëvendësueshme për gjëra që bëjnë sens kur flasim për procesin e anëtarësimit të vendit. 

Është pasqyrua më besnike e realitetit të zhvillimeve në vend në 12 muajt e fundit, të gjithë të tjerët shkruajnë, japin opinione, por janë shumë larg profesionalizmit të këtij raporti. 

Ndaj BE, Komisini Europian janë bekimi më i madh për një vend si Shqipëria ndryshe do ta kishte të pamundur të bënte shtetin që po bën dhe të bëhej pjesë e një familje me vlera, standarde e kritere funksionimi si askund tjetër në botë. 

Faleminderit për raportin, kritikat, detyrat, vlerësimet, ne jemi nxënës ambicioz në këtë proces. Më vjen mirë që nga viti në vit marrim nota të mira. Por jemi të vetëdijshëm që për të marrë notën maksimale, që është vula e anëtarësimit kemi shumë akoma për të bërë dhe kemi të meta e boshllëqe për të adresuar. Jemi të bindur se kemi kapacitetin për të adresuar falë edhe partneritetit me Komisionin europian”,-tha Rama.