Është shtyrë sërish seanca gjyqësore ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit në Gjykatën e Posaçme, për shkak të bojkotit të avokatëve.

Jashtë ambienteve të SPAK, sekretari i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, deklaroi se shtyrja e seancës, sipas tij, po përdoret për të zgjatur qëndrimin e Ilir Metës në paraburgim. Blushi e cilësoi situatën si një veprim të qëllimshëm dhe akuzoi prokurorët se kërkuan shtyrjen e seancës.

“Bëhet për një qëllim, bëhet fjalë për të mbajtur në paraburgim politik Ilir Metën. Ky është thelbi. Kjo kërkesë në seancën e sotme u bë nga prokurorët”, u shpreh Blushi.

Ai pretendoi gjithashtu se kërkesa e prokurorëve është pranuar nga gjykata, duke e lidhur këtë me pretendimet e tij për ndikim politik në çështje.

Sipas Blushit, Ilir Meta nuk ka munguar në asnjë seancë gjyqësore dhe shtyrjet e afateve të paraburgimit kanë ardhur për shkak të mungesës së avokatëve mbrojtës apo palëve të tjera në proces.

“Meta nuk ka munguar kurrë në asnjë seancë. Afatet e paraburgimit janë shtyrë për shkak të mungesës së palëve të treta apo avokatëve mbrojtës. Rëndësi ka fakti që zoti Meta nuk ka munguar në asnjë seancë”, deklaroi sekretari i Partisë së Lirisë.