Rrjetet sociale kanë një ndikim shumë të madh në ditët tona, jo vetëm për komunikimin mes njerëzve dhe ruajtjen e kontakteve me familjarët, miqtë apo të njohurit, por edhe për të prezantuar platformat politike, opinionet për çështje të caktuara etj.
Rëndësinë e rrjeteve sociale e kanë kuptuar më së miri politikanët shqiptarë, madje pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama ishte lideri politik më i ndjekur në rrjetet sociale.
Rama është shumë aktiv, jo vetëm me postimet e tij, por edhe me replikat dhe komentet me komentuesit.
Njësoj si Rama edhe paraardhësi i tij Sali Berisha numëron mbi 1 milion ndjekës në Facebook.
Po politikanët durrsakë sa aktivë dhe të ndjekur janë në rrjetin social me numrin më të lartë të përdoruesve në botë?
Nga një vëzhgim që DurrësLajm u bëri Fanpage-s të tyre rezulton se listën e kryeson ministri i Mjedisit dhe deputeti i lSI-së, Lefter Koka. Koka numëron jo pak, por 46.789 ndjekës. Në faqen e tij gjejnë pasqyrim aktivitetet e ministrisë që drejton prej gati 4 vitesh si dhe takimet elektorale në kuadër të zgjedhjeve të 25 qershorit.
Në vend të dytë ndodhet as më pak e as më shumë por kunati i tij Agron Duka. Megjithëse nuk arriti të sigurojë një mandat deputeti në këto zgjedhje dhe është kryetar i një partie të vogël si PAA, Duka duket se gëzon mbështetje të madhe mes ndjekësve të tij.
Ndërsa në vend të tretë renditet një femër, deputetja e Durrësit dhe mjekja e njohur Klodiana Spahiu. Ajo numëron më shumë se 21 mijë ndjekës në Facebook.
Spahiu madje lë pas kryebashkiakun Vangjush Dako, që renditet në vend të katërt. Megjithëse nuk e menaxhon vetë fanpage-n, Dako numëron më shumë se 20 mijë ndjekës. Është stafi i tij që poston herë pas here takimet e axhendës së tij si kryebashkiak, apo dëgjesat publike me banorë të lagjeve të ndryshme të qytetit të Durrësit.
Ndërkohë lista pasohet nga dy deputete femra, Milva Ekonomi e PS-së dhe deputetja e LSI-së Nora Malaj.
Partia Demokratike, pas rezultatit zhgënjyes në zgjedhjet e 25 qershorit, rezulton pak e ndjekur edhe në rrjetet sociale.
Dy deputetët që kryesonin listën e PD-së për qarkun e Durrësit, Oerd Bylykbashi dhe Fatbardha Kadiu regjistrojnë shumë pak ndjekës. Bylykbashi numëron vetëm 3039 ndjekës, ndërkohë që Kadiu që mbyll listën me 10 emra ka veç 841 ndjekës. Shumë pak për ata që duhet të jenë zëri opozitar në Kuvend e jo vetëm.
Lista e 10 politikanëve më të ndjekur në Durrës
Lefter Koka – 46.789 ndjekes
Agron Duka – 34.722 ndjekes
Klodiana Spahiu – 21.443 ndjekes
Vangjush Dako – 20.465 ndjekes
Milva Ekonomi – 17.458 ndjekes
Nora Malaj – 12.876 ndjekes
Oerd Bylykbashi – 3039 ndjekes
Rolant Xhelilaj – 2212 ndjekes
Ilir Ndrazhi – 1042 ndjekes
Fatbardha Kadiu – 841 ndjekes





