Kur po i drejtohemi mesit të muajit gusht dhe vera po shkon drejt fundit, strukturat hoteleriere por edhe pronarët e apartamentteve apo dhomave që lëshohen me qira ditore e kanë ndjerë mungesën e pushuesve nga Kosova në plazhin e Durrësit.
Ndërsa më përpara kur ecje përgjatë shezlongeve, vijës bregdetare apo në lokalet e restorantet e zonës dëgjoje më se shumti të flitej shqip në dialektin e Kosovës, tashmë më së shumti dëgjohen komunikimet në gjuhë të huaj të turistëve nga vende të ndryshme të Evropës, që kanë zgjedhur kryeqytetin shqiptar të turizmit për të kaluar disa ditë pushime.
Liberalizimi i vizave për shtetasit kosovarë, qe sinjali i parë për operatorët turistikë në Durrës se flukset nga Kosova do të nisin të reduktoheshin. Por nuk janë vetëm vizitat në vendet evropiane që kanë ulur shifrat e shtetasve kosovarë në Durrës, por edhe eksplorimi i plazheve të tjera të Shqipërisë.
Nga intervistat që “DurrësLajm” bëri në plazhin e Durrësit me pushues nga Kosova dëshmohet se qyteti buzë Adriatikut nuk e ka më ekskluzivitetin e turizmit patriotik.
Vija bregdetare e Shëngjinit, Velipojës, por edhe plazhet e jugut po “rrëmbejnë” shumë pushues nga Kosova, të cilët tashmë eksplorojnë zona të tjera bregdetare të Shqipërisë.
Ndiqni intervistat e tyre në videon e mëposhtme.
M.B.





