Vala e të nxehtit mund të rrisë intensitetin e zjarreve që ka përfshirë Maqedoninë. Si pasojë, autoritetet e vendit kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në një rajon malor jugperëndimor.
Emergjenca do të vijojë për 30 ditët e ardhshme. Të gjitha kapacitetet e sigurisë do të vendosen në rajonin e prekur nga zjarret.
Prej dy javësh, forcat zjarrfikëse dhe vullnetarë janë përpjekur të vënë nën kontroll flakët që janë përhapur në disa zona ndërsa policia konfirmoi një viktimë të dyshuar, i gjetur i djegur në një fshat pranë Shkupit.
Greqia gjithashtu vijon të përballet me një situatë të përkeqësuar zjarresh. Katër fshatra u evakuuan në ishullin Kithira.
Pjesa tjetër e rajonit të Ballkanit është përfshirë nga stuhitë dhe moti i keq. Bosnja, Sllovenia dhe Serbia kanë qenë mbrëmjen e kaluar nën influencën e masave të ulëta ajrore. Temperaturat pësuan rënie, por sipas meteorologëve, vlerat e larta do të rikthehen.
Shirat kanë ndihmuar në fikjen e flakëve në Kroaci, e cila përgjatë dy javëve të fundit u përball me një situatë dramatike si pasojë e zjarreve që shkrumbuan qindra hektarë pyje.