*Pas aplikimeve, zbardhet libri i transparencës me të dhënat për të gjitha shkollat dhe maturantët. Kush gjen gabime në renditjen e preferencave, afat deri më 23 gusht për ankimin. Manuali shpërndahet edhe në shkolla
Pas mbylljes së aplikimeve për maturantët që plotësojnë kriteret e që duan të ndjekin studimet e larta në një nga universitetet e vendit, Qendra e Shërbimeve Arsimore ka publikuar librin e transparencës. Ky i fundit përmban të dhënat për të gjithë kandidatët, me rezultatet e provimeve dhe renditjen e degëve, e që në ditët në vijim do të shpërndahet në të gjitha drejtoritë arsimore të vendit. Sipas QSHA-së, në këtë libër detajohen të gjithë elementët, me të cilët maturantët garojnë për të fituar studimet e larta në një nga 10 preferencat e renditura gjatë plotësimit të formularit të aplikimit. Çdo kandidat gjen në këtë libër, të gjithë treguesit e rezultateve të përfundimit të shkollës së mesme dhe provimeve të maturës, që kanë të bëjnë me “notën e përgjithshme mesatare të viteve të shkollimit të mesme, provimet e maturës, rezultatin e provimit të letërsisë, të provimit të matematikës, provimit të gjuhës së huaj, si dhe rezultatet e të dy provimeve të lëndëve me zgjedhje të detyruar”. Gjithashtu, në këtë libër janë publikuar edhe 10 preferencat e përzgjedhura prej çdo maturanti që kërkon të fitojë studimet e larta gjatë këtij viti. “Libri i Transparencës përmban të dhënat e maturantëve të çdo shkolle të vendit.
Libri
Për çdo shkollë janë renditur vetëm maturantët e saj, të cilët kanë rezultuar kalues në të gjitha provimet e Maturës Shtetërore dhe kanë aplikuar online me formularin e aplikimit në universitete. Nuk përfshihen në këtë libër rezultatesh kandidatët që nuk kanë kaluar qoftë edhe në njërin prej pesë provimeve. Secili kandidat maturant ka hapësirën e tij në librin e transparencës, ku në rreshtin e parë jepen: “Numri rendor, numri identifikues i maturantit (ID), që e ka shoqëruar gjatë gjithë procesit të maturës, në pjesën majtas poshtë janë emërtesat dhe notat e shkallëzuara të 6 elementeve vlerësuese të maturës. Më tej vijohet me preferencat e kandidatit, të renditura siç janë përzgjedhur prej tij në formularin e aplikimit për universitet. Preferencat përmbajnë kodin e programit të studimit, emërtesën e programit të studimit”, sqaron QSHA. Ndërkohë, në librin e transparencës nuk paraqiten gjeneralitetet e kandidatit (emri, atësia, mbiemri dhe ditëlindja) me qëllim që të mbrohen të dhënat e tij personale. Pas verifikimit të të dhënave të detajuara në këtë libër, secili kandidat që ka aplikuar për të fituar universitet mund të kontestojë me anë të Formularit të Korrigjimit të Pasaktësive, ndonjë parregullsi që vëren në të dhënat e tij, sa i takon mesatares së llogaritur, notave të provimeve, apo renditjes së degëve ku do të vijojë universitetin. Në rast të konstatimit të këtyre pasaktësive duhet të kërkohet për rishikimin e tyre. Për çdo ndryshim, do të kërkohet dokumentim zyrtar nga drejtoritë e shkollave dhe drejtoritë arsimore të rretheve.
Formulari i korigjimit
Ky formular është përgatitur për të evidentuar pasaktësitë që mund të shfaqen në librin e transparencës për maturantët e të gjitha rretheve. Kur konstatohen pasaktësi, maturanti duhet të paraqitet në shkollë, të marrë këtë formular dhe ta plotësojë. Ky formular u jepet vetëm maturantëve që kanë kontestime për të dhënat e detajuara në libër. Në pjesën e parë është e detyrueshme të plotësohen të dhënat për rrethin, bashkinë, komunën, shkollën dhe ID e maturantit. Në çdo kuti shkruhet vetëm një shkronjë, ose një numër. Shkronjat duhet të jenë kapitale dhe numrat me shifra arabe. Këto të dhëna janë të domosdoshme për identifikimin e maturantit që kërkon ndryshimin e të dhënave. Në pjesën e dytë, në seksionin “Si ishte”, janë të detyrueshme të plotësohen të gjitha të dhënat: “Emri, atësia, mbiemri, datëlindja, nota mesatare (me shifra dhe me shkrim). Praktikisht këto të dhëna janë si në librin e transparencës. Ndërsa në seksionin tjetër “Si bëhet”, do të plotësohen vetëm ato të dhëna ku kërkohet ndryshimi. Për shembull, nëse kërkohet ndryshim te emri, te rreshti emri shkruhet si duhet të jetë emri i saktë. Mund të ndodhë të kërkohen dy ose më shumë ndryshime, si për shembull datëlindja edhe nota mesatare e shkollës së mesme. Pasi kërkesa për ndryshimet të jetë plotësuar me kujdes, maturanti shkruan më tej: “Emrin, mbiemrin dhe firmos në vendin përkatës. Këto ndryshime që kërkohen nga maturanti duhet të konfirmohen nga mësuesi kujdestar, drejtori i shkollës, që pasi firmos vendos dhe vulën e shkollës, si dhe nga kreu i drejtorisë së arsimit të rrethit përkatës ku ndodhet shkolla e mesme që maturanti ka kryer, i cili gjithashtu firmos dhe vulos këtë formular. Vëmë në dukje se të dhënat që kanë lidhje me notat si: mesatarja, D1, D2, D3, Z1, Z2 konsultohen nga ana e specialistëve të QSHA-së, me bazën e të dhënave dhe më pas konfirmohen nga drejtori i QSHA-së”, thuhet në udhëzimin e formularit të pasaktësive që i bashkëngjitet librit të transparencës.
Maturantët
Afatet për formularët, kërkesat shtesë
Pas plotësimit të formularit, nga maturanti përkatës dhe konfirmimit zyrtar me firmë dhe vulë nga drejtoritë e shkollave dhe drejtoritë e arsimit, këto të fundit duhet të përcjellin brenda mesditës së datës 23 gusht në Agjencinë e Provimeve, të gjithë formularët e kandidatëve që kanë vërejtje me rezultatet e shpallura. Më pas hedhja e korrigjimeve në bazën e të dhënave në sistem bëhet nga specialistët e QSHA-së. Me mbylljen e kësaj procedure të gjitha këto të dhëna u përcillen universiteteve publike dhe private, të cilat do të bëjnë edhe renditjen finale të fituesve sipas kritereve të përcaktuara prej tyre.
Përllogaritja e mesatares
Nota mesatare për të konkurruar për universitetin përllogaritet si mesatare aritmetike e thjeshtë e treguesve të mëposhtëm: Mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë; Mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të maturës/Maturës Shtetërore. Kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve 2-vjeçare me karakter profesional nuk kanë detyrimin të plotësojnë kriterin e notës mesatare.
Kandidatët e trojeve
Gara e aplikimit dhe e përzgjedhjes për këtë kategori do të bëhet me anë të dosjes së dokumenteve, dhe jo online, sikundër ka ndodhur për maturantët e tjerë. Konkretisht, në udhëzim saktësohet se të gjithë kandidatët nga Republika e Kosovës, kandidatët me origjinë shqiptare nga Maqedonia, Mali i Zi, Presheva, Bujanovci dhe Medvegja, si dhe kandidatët me statusin e të verbrit, invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik, ata me statusin e jetimit, romët dhe egjiptianët duhet të aplikojnë pranë universiteteve duke dorëzuar dosjen e dokumenteve të kërkuara. Pasi bëjnë verifikimet përkatëse për të gjitha aplikimet e bëra, fakultetet shpallin listën e fituesve që do të pranohen sipas kuotave të miratuara vetëm për këto kategori.
/Shekulli/