Në Kosovë ka nisur seanca konsitutive e Kuvendit të ri, të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 11 Qershorit.
Seanca ka nisur punimet pa deputetët e koalicionit PAN, të cilët nuk janë paraqitur në sallë. Kryesuesi i kësaj seance, deputeti Adem Mikullovci tha se në sallë janë 73 deputetë. Ai ka proceduar me pikën e parë, formimin e komisionit për verifikimin e kuorumit dhe mandateve.
Pas formimit të komisionit, Mikullovci ka shpallur pushim.
Në seancën e parë të legjislaturës së re, pasi të bëhet betimi i 120 deputetëve zgjidhet edhe kreu i ri i Kuvendit.
Kandidatura kryesore për kryetar është kreu i PDK-së Kadri Veseli, i cili ka qenë drejtues edhe i legjislaturës së kaluar.
Por koalicioni PAN, që e ka propozuar, pavarësisht se ka një shumicë prej 39 votash, nuk arrin dot 61 vota për ta zgjedhur kryetar.
Në rrezik është edhe krijimi prej tyre i qeverisë së kryesuar nga Ramush Haradinaj, që sipas Kushtetutës duhet krijuar brenda 15 ditëve nga konstituimi i Kuvendit.
Por pavarësisht se Lëvizja Vetëvendosje, koalicioni tjetër i kryesuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe deputetët e minoriteteve kanë shprehur votën e tyre kundër, drejtuesit e Partisë Demokratike të Kosovës shprehën bindjen se do i gjejnë votat për të zgjedhur kreun e ri.
Nuk përjashtohet mundësia e rrjedhjes së votave.