Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot në orën 11:00 për të vijuar seancën konstituive të nisur më 6 gusht.

Seanca do të zhvillohet me kërkesë të kryesuesit Avni Dehari, ndërsa në rendin e ditës janë zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe më pas e nënkryetarëve.

Mbledhja zhvillohet në një situatë të tensionuar politike, pasi partitë që ishin në opozitë në legjislaturën e kaluar, si dhe organizata joqeveritare, kanë argumentuar se afati kushtetues 30-ditor për konstituimin e Kuvendit ka përfunduar në mesnatë.

Një natë më parë, deputetë të PDK-së, LDK-së dhe Aleancës kërkuan që seanca të zhvillohej para skadimit të afatit, por përpjekjet nuk dhanë rezultat.

Ndërkohë, kreu i LVV-së, Albin Kurti, dhe lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, u takuan të premten, por nuk arritën një marrëveshje për krijimin e institucioneve të reja.

Më pas, Kurti i dërgoi një ofertë kreut të PDK-së, Bedri Hamza, duke propozuar që PDK-ja të mbështeste zgjedhjen e presidentit të ri, në këmbim të postit të kryetarit të Kuvendit.

Megjithatë, deri tani nuk ka një marrëveshje mes partive politike, ndërsa sot pritet të shihet nëse Kuvendi do të arrijë të bëjë përpara me konstituimin e tij.