Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të Kosovës do të jetë sfida e parë, me të cilën do të përballen deputetët e legjislaturës së gjashtë të vendit, e cila pritet të konstituohet të enjten, më 3 gusht.
Propozimi i kandidatit për kryetarin e Kuvendit do të bëhet nga koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Për Kosovën, i njohur si koalicioni PAN, i cili radhitet si subjekti i parë politik me më së shumti ulëse të fituara në Kuvend.
Përderisa përfaqësuesit e koalicionit PAN ende nuk e kanë sqaruar nëse i propozuari i tyre do të jetë lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, thonë se do të votojnë kundër zotit Veseli për postin e të parit të Kuvendit. Paralajmërime të ngjashme ka bërë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila ka thënë se nuk do ta votojnë Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit e as të nominuarin e koalicionit PAN, Ramush Haradinaj, për kryeministër të Kosovës.
Memli Krasniqi, anëtar i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se ende nuk ka ndonjë vendim zyrtar përfundimtar nëse Veseli do të propozohet për kryetar të Kuvendit.
“Politika është interesante, veçanërisht në Kosovë dhe veçanërisht kur kemi zgjedhje. Por, ne shpresojmë që do të jetë zoti Kadri Veseli – po e them edhe personalisht – për arsye që e ka kredibilitetit politik dhe mbështetjen politike, si dhe peshën politike, ndoshta për të udhëhequr më fuqishëm në mandatin e ardhshëm Kuvendin e Kosovës, sidomos kur kihet parasysh që do ta kemi një opozitë të fuqishme të përbërë prej Vetëvendosjes dhe LDK-së. Në anën tjetër, mund të jetë një kryetar, i cili mund ta menaxhojë në mënyrën më të mirë të mundshme Kuvendin. Por, ta shohim. Realisht, as unë nuk kam mandat që të them sot se kjo është çështje e kryer”.
Por, Albulena Haxhiu, deputete e zgjedhur e Lëvizje Vetëvendosje, thotë për Radion Evropa e Lirë se deputetët e këtij subjekti politik, i cili është i dyti me radhë për kah numri i ulëseve në Kuvendin e Kosovës, do të marrë pjesë në mbledhjen konstituive të Kuvendit. Ajo ka ripërsëritur se deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, do të votojnë kundër Kadri Veselit për kryetar të Kuvendit.
“Natyrisht që do ta kundërshtojmë Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit, në qoftë se propozohet një emër i tillë, për faktin se kryetari i Kuvendit duhet të jetë figurë unifikuese dhe jo përçarëse. Veseli ka dështuar që ta përfaqësojë interesin e secilit deputetë përbrenda Kuvendit, dhe t’i përfaqësojë sa më mirë interesat e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Madje, shpeshherë ka kërcënuar dhe ka fyer deputetët e Kuvendit, prandaj ne nuk mund ta përkrahim një njeri të tillë”, thotë Haxhiu.
Por, Haxhiu ka shtuar se , marrë parasysh aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, i cili i jep të drejtën subjektit politik me më së shumti ulëse në Kuvendin e Kosovës që ta propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, në këtë rast koalicionit PAN, atëherë, siç thotë ajo, propozimi i një emri tjetër nga ky koalicion ka mundësi ta marrë përkrahjen e deputetëve të Kuvendit./REL