Zv.presidenti amerikan Mike Pence, gjatë punimeve të samitit të Kartës së Adriatikut, zhvilloi takime me të gjithë liderët e pranishëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Më pas, të gjithë krerët e shteteve zhvilluan takimin me dyer të mbyllura, në përfundim të të cilit ishte kryeministri maqedonas Zoran Zaev, i cili lexoi deklaratën e samitit. 
“Konfirmojmë rëndësinë e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe në fushën e mbrojtjes ndërmjet vendeve tona. Është frytdhënëse të ndajmë mes nesh reforma dhe eksperienca integrimi dhe të intensifikojmë bashkëpunimin rajonal. Në të ardhmen ne do të udhëhiqemi nga bindja se integrimi euro-atlantik i rajonit, i bazuar në solidaritet dhe vlerat demokratike, është i domosdoshëm për një stablitet afatgjatë”, deklaroi Zaev. 
Në fund të deklaratës së përbashkët nënvizohet se asnjë prej angazhimeve të ndërmarra nuk do të ishte e mundur pa ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat në vitin 2003 ndërtuan mekanizmin e Kartës së Adriatikut për t’i dhënë mundësi Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë që të bëheshin pjesë e NATO-s. 
Më pas në të u bashkuan Bosnje e Hercegovina dhe Mali i Zi, ndërsa me statusin e vëzhguesit janë Kosova e Serbia. Takimi u mbajt në Podgoricë, dy muaj pasi vendi i vogël ballkanik u bë anëtari më i ri i Aleancës së Atlantikut të Veriut.