Pak ditë më parë, sinjalet e Françeska Jaçes në Instagramin e saj ngritën dyshime për një marrëdhënie të re me biznesmenin Andi Geci. Dyshimet u shtuan pasi edhe ky i fundit bëri pothuajse të njëjtat postime në profilin e tij.

Ish-banorja e Big Brother, e cila prej kohësh vijon të jetë pjesë e modelingut, duket se e ka konsoliduar romancën e saj, madje tashmë edhe në publik nuk gjen arsye për t’u fshehur më.

Pavarësisht se askush prej të dyve nuk e ka pohuar lidhjen publikisht, fotot e publikuara pak më parë nga Express nuk kanë nevojë për shumë detaje. Françeska dhe Andi janë duke shijuar pushimet në plazhin e Dhërmiut dhe, siç duket nga këto foto, janë edhe shumë të afërt me njëri-tjetrin.

Pak javë më parë, e ftuar në “Rudina”, në Tv Klan, Françeska nuk preferoi të fliste për një marrëdhënie dashurie, por siç duket, modelja ka dashur ta ruajë për vete raportin me Andin dhe jashtë kureshtjes mediatike.