Qeveria Rama ka miratuar me VKM, në mbledhjen e ditës së mërkurës zgjerimin e portit aktual në Porto Romano, gjë që i hap rrugë transferimit të portit tregtar atje dhe ndërtimit të portit turistik nga kompania arabe Emaar.
Përmes VKM-së, qeveria Rama ka vendosur zgjerimin e portit aktual, nën administrimin e “Kastrati Group”, që realizon shërbimet e përpunimit të ngarkesave dhe depozitimit të naftës në Porto Romano.
Më datën 31 mars 2020, në parlamentin shqiptar u miratua që portit MBM, i cili është i formës “BOT” (ndërtim, shfrytëzim dhe transferim), t’i bëhej një shtesë në koncesionin ekzistues.
Me vendimin e djeshëm të qeverisë, koordinatat e portit aktual në Porto Romano janë shtuar. Zgjerimi i koordinatave krijon mundësinë që në port të ndërtohen disa kalata të tjera që do të shërbejnë për përpunimin e anijeve të mallrave, krahas atij të karburanteve që kryhet aktualisht.
Përpunimi i pasagjerëve do të mbetet në portin e Durrësit, ndërsa përpunimi i mallrave do të bëhet në të ardhmen në Porto Romano. Aktualisht, zona e Porto Romanos,ku do të vendoset porti më i madh në vend për mallrat, nuk ka linjë hekurudhore, si në portin e Durrësit, ndërsa probleme të shumta logjistike pritet të marrin zgjidhje në të ardhmen, sepse aktualisht mungojnë.
Kompania EMAAR e Emirateve Arabe propozoi në nëntor të vitit të kaluar një projekt për të zhvilluar Portin e Durrësit në shërbime të dedikuara për turizmin dhe zhvillimin e “Real Estate” në nivel luksi, me vlerë 2 miliardë dollarë. Në atë kohë, ministrja Belinda Balluku deklaroi se në Porto Romano do të ndërtohej një port i ri mallrash, por duket se qeveria ka gjetur zgjidhjen më të shkurtër, duke ia kaluar këtë proces privatit, që përveçse përpunimit të karburanteve, do të merret edhe me përpunimin e mallrave.





