Serbia nesër fillon prodhimin në cikël të plotë të vaksinave ruse kundër koronavirusit, Sputnik V.
Mediat vendase bëjnë me dije se vaksinat do të prodhohen nga Instituti i Virologjisë, “Torlak” i Beogradit, pasi tashmë ka mbërritur nga Moska substanca për prodhimin e vaksinës ruse e ruajtur në kontejnerë të veçantë, në një temperaturë nga dy deri në tetë gradë plus.
Ministri në Qeverinë e Serbisë i ngarkuar me inovacionin dhe zhvillimin teknologjik, Nenad Popoviç ka garantuar se deri në fund të 2021 do të prodhohen 4 milion doza të Sputnik V vetëm në Beograd.
Ai sqaroi se kryesisht ato do të përdoren për nevojat e brendshme të Serbisë, por do të ketë përpjekje për të ndihmuar edhe rajonin.
Shqipëria është një ndër vendet e rajonit që përdor vaksinën Sputnik V edhe pse ajo nuk është certifikuar ende nga EMA, autoriteti përgjegjës në BE.





