Kreu i PD-së, Lulzim Basha e ka ndalur turin e takimeve sot në Kavajë, Rrogozhinë dhe njësitë administrative 15-16, ku ka takuar nga afër demokratët.

Basha tha se PD-ja do t’i bindë aleatët për atë çka e cilësojnë masakrën zgjedhore.

Mes të tjerash ai tha se bashkë me aleatët do të përgatisin një platformë për t’i rikthyer legjitimitetin dhe demokracinë Shqipërisë. 

Ndër të tjera Basha tha se PD-ja do të vijojë misionin që peshon më shumë se partia, që sipas tij është pesha e fateve të Shqipërisë dhe të shqiptarëve.

“Përgjigja e parë që keni marrë nga kryetari i Partisë Demokratike që në ditët e para që duhet të kumbojë fort nga Kavaja e kudo në Shqipëri edhe njëherë, është që ne as i njohim dhe as nuk do ta pranojmë kurrë masakrën zgjedhore të 25 prillit. Ne do t’i bindim aleatët tanë për masakrën zgjedhore, për vjedhjen më të madhe industriale të votave në histori dhe do të përgatisim bashkë me ta shumë shpejt një platformë për t’i rikthyer legjitimitetin dhe demokracinë vendin. Ne jemi shpresa e vetme për demokraci dhe arsyeja se pse jemi të tillë është aleanca që kemi krijuar me njerëzit, ndaj duhet ta thellojmë këtë aleancë me shoqërinë, me të gjithë shtresat dhe me të gjithë njerëzit e ndershëm të këtij vendi që janë shumica absolute përballë një pakice të pakicës.”, tha Basha.