Kandidati për kryeministër i Kosovës nga koalicioni PAN, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në zyrën e tij ministrin e Brendshëm të Shqipërisë, Dritan Demiraj.
Ai thotë se me Demirajn janë dakordësuar që Kosova dhe Shqipëria janë faktorë stabiliteti në rajon dhe se përfshirja e Kosovës në strukturat rajonale-evropiane dhe ndërkombëtare të sigurisë, veç sa e forcon bashkëpunimin dhe është në funksion të stabilitetit.
“Sot pata kënaqësinë ta pres në një takim Dritan Demirajn, një ushtarak i shkëlqyer, aktualisht Ministër i Brendshëm i Shqipërisë. Në një bisedë të hapur e miqësore, folëm për sigurinë rajonale, për detyrat e shteteve tona në lëmin e sigurisë, bashkëpunimin, si dhe ndihmesën që mund ta japë Shqipëria në anëtarësimin e Kosovës në strukturat rajonale dhe evropiane të sigurisë.
U dakorduam se Kosova dhe Shqipëria sot janë faktorë stabiliteti në rajon dhe se përfshirja e Kosovës në strukturat rajonale-evropiane dhe ndërkombëtare të sigurisë, veç sa e forcon bashkëpunimin dhe është në funksion të stabilitetit”,shkruan Haradinaj në “Facebook”.