Një shtetas rus i kërkuar nga Shtetet e Bashkuara nën dyshimet për pastrimin e 4 miliardë dollarëve përmes transaksioneve me monedhën virtuale Bitcoin u urdhërua të mbahet në paraburgim në Greqi.
38-vjeçari, emri i të cilit nuk është bërë i ditur, ka mohuar të jetë përfshirë në ndonjë operacion të tillë, por gjasat janë që ai të ekstradohet në Shtetet e Bashkuara.
Ai u arrestua të martën paradite në Greqi, pas sinjalizimeve të autoriteteve amerikane. Gjithashtu, policia greke sekuestroi pajisje elektronike si telefonë celularë, dy kompjuterë laptop dhe 5 tableta të gjetura në dhomën e tij e hotelit.
Personi akuzohet se ka pastruar gati 4 miliardë dollarë që nga viti 2011, duke përdorur monedhën dixhitale Bitcoin.