Qytetarët që banojnë në Tiranë do të paguajnë 20 lekë më shumë për metër kub për ujin në çezmat e banesave të tyre. Vendimi u mor pasditen e kësaj të mërkure në mbledhjen e këshillit bashkiak të Tiranës, pas një sërë kontestimesh nga këshilltarët e djathtë të cilët braktisën mbledhjen.
31 këshilltarë është kuorumi i nevojshëm i votave për të kaluar një vendim të rëndësishëm në Bashkinë e Tiranës, për rritjen e ujit të pijshëm me 20 lekë, nga 45 lekë në 65 lekë.
Mbledhja u braktis nga këshilltarët e Partisë Demokratike në Bashki, të cilët u larguan sapo mbledhja nisi, ndërsa këshilltarët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, pjesa më e madhe e tyre, nuk morën pjesë në mbledhje pasi u desh të prisnin për mbi gjysmë ore ardhjen e kryebashkiakut dhe këshilltarëve të majtë për të nisur mbledhjen e planifikuar në orën 18:00.
Por të pranishëm në sallë ishin 2 këshilltarë të LSI-së, në emër të të cilëve foli këshilltari Agim Kraja. Ai tha se është dakord me vendimin e Bashkisë së Tiranës për rritjen e çmimit të ujit. Kraja u shpreh se është mjaft e rëndësishme të kryhen investime në rrjet.
LSI pati disa kushte të cilat u pranuan nga kryebashkiaku Erion Veliaj, e po ashtu, në mbledhje u pranuan edhe propozimet e Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet.