Në daljen e parë publike, pas zgjedhjeve, kryeministri Rama paralajmëroi ndër të tjera se qeveria e re, që do të zgjidhet në shtator, do të rifillojë me forcë aksionin antiinformalitet.
Kjo na sjell në vëmendje shtatorin e tre viteve më parë (2015), kur me një lëvizje të paprecedentë u fillua një aksion i fortë kundër ekonomisë informale në vend. Informalitet, që duhet pranuar se ishte dhe vijon të jetë ende i lartë dhe marrja e masave po kërkohej e ishte e mirëpritur edhe nga vetë biznesi. Por forma si u krye, dhuna me të cilën u trajtua biznesi, mungesa e respektit për sipërmarrjen që kontribuon në 80% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe punëson rreth 450 mijë persona, ishte e paprecedentë.
Sot, kur kanë kaluar gati tre vjet, nëse kthehemi e bëjmë një bilanc do të shohim se ai ka qenë në pjesën më të madhe negativ. Të ardhurat në buxhet në vitin 2015 ishin në rënie të lehtë me Prodhimin e Brendshëm Bruto. Treguesit e punësimit real në pjesën e fundit të 2015-s dhe muajt e parë të 2016-s u përkeqësuan. Muajt e parë të 2016-s, klima psikologjike e krijuar te bizneset ishte shumë e rënduar. Shoqatat e investitorëve të huaj, si Dhoma Amerikane, Dhoma Gjermane, FIAA, të gjitha, raportuan një përkeqësim të treguesve të besimit. Praktikisht, 2016-a ishte një vit i humbur, investimet e sipërmarrjes vendase u tkurrën dhe investime të huaja nuk pamë të hynin, përveçse projekteve të mëdha të nisura me kohë, si gazsjellësi TAP dhe hidrocentrali i Devollit. Edhe përpjekjet, më pas, për të marrë me të mira biznesin (si heqja e tatimit për bizneset e vogla) thjesht nuk bënë gjë tjetër veçse nxitën më tej informalitetin, me bizneset që nxituan të copëzoheshin për të mos kaluar pragun, apo me ndërmarrjet e vogla që sërish nuk merrnin faturë.
Nuk mund të mos e pranojmë, megjithatë, që rezultate pati, si formalizimi i bizneseve, futja e një numri të lartë individësh në skemën e sigurimeve shoqërore, kalimi i bizneseve në një kategori më të lartë, shtimi i pajisjes me kasë, ndërgjegjësimi i bizneseve dhe konsumatorëve, përkatësisht për të lëshuar dhe për të tërhequr kuponin tatimor. Por, dëmi psikologjik, ndonëse i pamatshëm (asnjëherë nuk do të bëhet e qartë se si do të kishte ecur ekonomia, që e kishte filluar ciklin rritës, nëse bizneset nuk do të trajtoheshin si armiq), dukej shumë më i lartë, sesa rezultatet, që solli ky aksion.
Dhe rikthimi te kërcënimet për luftë të fortë, tregon se qeveria jo vetëm nuk e paska mësuar mësimin, por nuk ka kuptuar as thelbin e ekonomisë.
Mësimi i parë që nxorëm ishte se problemi kryesor i ekonomisë shqiptare është mungesa e konkurrueshmërisë. Shqipëria karakterizohet nga biznese të vogla, 90% e të cilave kanë 1-4 punonjës, që efektin më të madh e kanë në vetëpunësim (me mbi 30%, Shqipëria është ndër vendet me përqindjen më të lartë të të vetëpunësuarve jo vetëm në Europë, por edhe në botë), që janë në prag mbijetese, për shkak të ndryshimit të modelit ekonomik. Shumë biznese që u formalizuan po kalojnë sërish në status pasiv. Edhe sipërmarrjet e tjera të mesme zbuluan se avantazhin e vetëm kishin pasur, pikërisht informalitetin. Me një llogari të thjeshtë, shumë prej tyre panë se nëse i deklaronin të gjitha, thjesht do të dilnin pa fitim, në një kohë kur produktet e importit hyjnë në një treg pa barriera tarifore më lirë, duke i nxjerrë ata jashtë tregu. Ndihma më e madhe ndaj biznesit do të ishte pikërisht krijimi i një ambienti konkurrues, pa barriera të padukshme, funksional, të automatizuar, pa korrupsion (bizneset ankohen p.sh., që pagesat për ryshfetin e tenderëve ndonjëherë e kalojnë edhe vetë shumën që duhet të paguajnë për taksa) dhe nxitja e novacionit, ku Shqipëria është e fundit në Europë.
Mësimi i dytë ishte se modeli që bizneset panë te shteti nuk ishte frymëzues. Të gjithë do të ishin të gatshëm të formalizoheshin, të paguanin më shumë taksa dhe individët të ushtronin më shumë presion sa herë që blinin një mall apo shërbim, nëse do të shihnin që paratë e tyre po shpenzohen me eficiencë, po investoheshin me produktivitet, nuk po shkonin për pagesa koncesionesh të paargumentuara etj. Ndaj luftën agresive, qeveria duhet ta fillojë, së pari ndaj reformimit të modelit të vetvetes.
Përvoja e gjysmës së dytë të 2016-s dhe muajve të parë të 2017-s treguan se analiza e riskut, përqasja pozitive dhe bashkëpunuese me bizneset ishin më produktive se përpjekjet e sforcuara për të mbledhur para me zor, në sigurimin e të ardhurave. Le të vazhdojë kjo përvojë dhe qeveria t’i përqendrojë, për momentin, përpjekjet në reformimin thelbësor të ekonomisë, që tani është në një pikë kritike rritjeje, ku një hap e ndan ngjitjen lart, apo rënien drejt humnerës!
Marrë nga 'Monitor'