Pas shtyrjes me disa muaj, Ministria e Ekonomisë është gati të shpallë fituesin për ndërtimin e zonës së parë ekonomike në Shqipëri. “Top Channel” ka mësuar se në tenderin për zonën e Spitallës, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka renditur si ofertën e parë atë të kompanisë 3G.

Por rezultati nuk është shpallur ende zyrtarisht, pasi vlerësimi i Ministrisë është ankimuar nga ofertuesi i dytë.

Në tenderin për zonën e lirë ekonomike të Spitallës që u zhvillua para disa muajsh, u paraqitën dy oferta. E para përmbante një investim 93 milionë euro për ndërtimin e kapanoneve industriale, ndërsa oferta e dytë parashikonte ngritjen e një fabrike pasurimi të kromit me vlerë 30 milionë euro.

Komisioni i vlerësimit të ofertave ka renditur me më shumë pikë, projektin për ndërtimin e fabrikës së kromit, por kompania e renditur e dyta e ka ankimuar rezultatin. Sipas Ministrisë, vetëm pasi të përfundojë ankimimi do të shpallet rezultati zyrtar.

Kjo është hera e 4-t që Shqipëria përpiqet të ndërtojë një zonë të lirë ekonomike. Në të kaluarën tenderi për ndërtimin e kësaj zone ka dështuar gjithmonë për shkak të mungesës së interesit.

Këtë herë Ministria e Ekonomisë duket se do të shpallë një fitues, edhe pse projekti i zonës është dukshëm më i vogël nga ai që parashikohej në vitet e shkuara.