Një banore e lagjes së re në Durrës ka dërguar në redaksinë e DurrësLajm disa foto të rrugës ku kalon çdo ditë e që ua ka vështirësuar jetën banorëve të zonës.
Siç shihet qartë edhe nga fotot e shkrepura nga qytetarja, në mes të rrugës që është në proces rikonstruksioni është hapur një gropë e madhe që vë në rrezik jetën e qytetarëve dhe drejtuesve të automjeteve.
Nga fotot duket sikur rruga i ka mbijetuar ndonjë bombardimi dhe jo sikur është në proces rikonstruksioni.
“Drejtuesit e mjeteve mundohen ta evitojnë sa më shumë, ndërsa qytetarët natën i tremben faktit se mund të thyejnë qafën në gropë” thotë denoncuesja.
Ndërkohë, bashkia e Durrësit konfirmon se aksi në fjalë është në proces rikonstruksioni, por nuk jep asnjë të dhënë mbi firmën që ka fituar tenderin për rikonstruksionin e rrugës, vlerën e investimit, afatin e fillimit e mbarimit të punimeve etj.
Tashmë që fushata elektorale ka mbetur pas, pushteti lokal mund t’i marrë më me nge punët publike dhe investimet e destinuara për të përmirësuar cilësinë e jetesës së banorëve të Durrësit.
Në këtë rast të dëmtuarit janë qytetarët, që kalojnë çdo ditë mbi një aks rrugor që është shumë larg parametrave që duhet të ketë një rrugë në një nga lagjet më të vjetra të qytetit të Durrësit.