Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka vijuar turin e takimeve me strukturat e selisë blu në Bashkinë e Vorës dhe në Njësinë nr.11 në Tiranë.

Kreu i PD ka lënë të kuptohet se nëse do konfirmohet në detyrën nga demokratët ai do vijojë betejën për të zhvilluar sa më parë zgjedhje të parakohshme.

“Kush flet për 2025-ën, është dorëzuar tashmë. Unë nuk jam dorëzuar dhe unë e di që ju s’jeni dorëzuar. E di dhe Edi Rama, që të padorëzuar, të bashkuar, të vetëdijshëm për arritjet pavarësisht prej masakrës zgjedhore, por dhe të gatshëm për të përmirësuar atë që çfarë kemi ne në dorë për të përmirësuar dhe për të ecur me hapin e kohës, padiskutim që ne do të posedojmë akoma në mbyllje të procesit të 13 qershorit, edhe vetëdijen, edhe vendosmërinë për të qenë mendje ndarë dhe të vendosur për ta çuar misionin deri në fund. Dhe këtë mision nuk e kemi për veten tonë, se kemi për karriget tona, se kemi për karriget tuaja, e kemi për shqiptarët. Pushteti kurrë nuk ka qenë qëllim në vetvete për ne”-tha Basha.

Duke krahasuar PD-në me Partinë Socialiste, Basha tha se Rama e ka shndërruar selinë rozë “në një stallë lopësh”.

“Dy gjëra t’i themi qartas sa i përket qëndrimit tim, sot si kryetar i Partisë Demokratike dhe nesër me besimin tuaj për të vazhduar betejën: një, rezultati i 25 prillit, tjetërsimi i vullnetit të zgjedhësve shqiptarë nuk do të njihet dhe nuk do të pranohet. Dhe dy, nuk ka bashkëpunim me regjimin e Edi Ramës, Tom Doshit me shokë, por ka atë që bën çdo qytetar me dinjitet në Europë, çdo familje politike me dinjitet ka përballje me anti-vlerat, ka betejë me regjimin deri në rrëzimin e regjimit dhe deri në rikthimin e Shqipërisë në një vend me demokraci dhe me zgjedhje normale.

Ndaj tani i gjendur përballë këtij realiteti ai po përpiqet dhe do vazhdojë të përpiqet të shfrytëzojë çdo mundësi, të jemi të ndershëm me njëri-tjetrin. Kjo që po bëjmë tani është një nga vlerat që na distancon me çdo parti tjetër, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan.

Ai e ka kthyer partinë e tij në një stallë lopësh. Ne bëjmë garë, ne bëjmë debat, ne bëjmë konkurrencë, ne vendosim një anëtarë një votë, dhe ky është një avantazh i padiskutueshëm. Po brenda këtij avantazhi ka dhe një risk për të cilin jam shprehur dhe dua ta përsëris, në kushtet kur me gjithë masakrën zgjedhore ka përballë një Parti Demokratike më të fortë, më të madhe sesa ç’u fut në betejën e 25 prillit, hileja e dytë që do të përdor është përpjekja për të na e kthyer këtë proces por ndoshta dhe proceset e tjera, në një mekanizëm përçarjeje.” u shpreh Basha.