Ervin Stafa është 10 vjeç, sapo ka përfunduar klasën e katërt. Është i pesti i gjashtë fëmijëve të familjes Stafa. Të gjithë fëmijët e moshës së tij në këto ditë të nxehta janë duke pushuar në plazh, në pishina apo edhe duke luajtur me bashkëmoshatarët e tyre. Por vogëlushi në këto ditë është duke punuar me orë të tëra, duke mbushur kutitë të gjitha me cigare, të cilat i kalon te makineria.
200 cigare që ka një kuti, i kalon Ervini në makineri për të fituar një mijë lekë të vjetër. Për 8 orë në ditë, së bashku me vëllanë e tij binjak, ai mbush 6 kuti me cigare. Këto kuti më pas i dërgojnë në qytetin e Shijakut ku edhe i shesin. Nga çdo kuti fitojnë 1 mijë lekë të vjetër.
Fshati i tij është shumë larg nga qyteti. Kur të rritet ai ka dëshirë të bëhet shofer.
Prindërit janë duke punuar në fshat për të mbijetuar me bagëti dhe me tokën që punojnë. Nëna e tij Lumturia, thotë se fëmijët punojnë që të ndihmojnë sado pak familjen e tyre, duke mbushur kuti me cigare.
Kjo është një prej ditëve të zakonshme të kësaj familjeje në Milaq të Shijakut. Këtu fëmijët punojnë në çdo moshë. Është instikti i tyre i mbijetesës.
K.H.