Dhjetëra emigrantë që ndodhen në qendrën e pritjes dhe identifikimit të refugjatëve në Moria të ishullit të Lesbos janë rebeluar pasditen e së hënës dhe situata për disa orë brenda kampit ka dalë jashtë kontrollit.
Rebelimi ka filluar kur disa prej tyre kanë kërkuar lirimin e një emigranti të arrestuar dhe të tjerë kanë filluar të protestojnë para zyrave të këtij hotspoti për kushtet e mbajtjes së refugjatëve, të cilët pritet të deportohen përsëri në Turqi.
Forcat policore të ndodhura atje që janë sulmuar me breshëri gurësh, janë përgjigjur duke përdorur gaz lotsjellës. Pas këtij veprimi, rebelimi ka marrë përmasa të pakontrollueshme.
Emigrantët, shumica e tyre afrikanë, kanë djegur në fillim dy çadra dhe dy konteinerë dhe një numër i madh i tyre nuk ka lejuar repartet e zjarrfikësve të hyjnë në kamp që të shuajnë zjarret.
Drejt kampit janë thirrur për ndihmë forcat e ndërhyrjes së shpejtë të policisë dhe tensioni ka rënë pas disa orëve .
Nuk ka pasur raportime për të lënduar. Ndërkohë që banorët e Lesbos kanë shprehur edhe njëherë shqetësimin e tyre për këto incidente te përsëritura nga ana e emigrantëve si dhe për faktin që prania e tyre ka sjellë rënie dramatike të turizmit në ishullin piktoresk.