Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani ka kërkuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor pezullimin dhe shkarkimin nga detyra të magjistrates së Elbasanit, Enkeleda Kapedani.
Kërkesa është dorëzuar nga vetë kreu i ILD, këtë mbrëmje. Sipas ILD, veprimet e Kapedanit diskreditojnë rëndë figurën e gjyqtarit.
Zoti Metani ka shfrytëzuar për herë të parë mekanizmin ligjor të pezullimit të një magjistrati, ndërsa ndodhet në hetim disiplinor.
Kërkesa për pezullimin dhe shkarkimin e Kapedanit vjen pas publikimit të një sërë videosh që gjyqtarja kishte publikuar në rrjetin social Tik-Tok si në zyrën e saj në Gjykatën e Elbasanit, ku ishte nënkryetare në detyrë, ashtu dhe në ambiente të tjera.





