Muzeu Arkeologjik është pasuria më e madhe e Durrësit, që pasqyron më së miri të kaluarën tremijë vjeçare të këtij qyteti, por njëkohësisht është edhe pasaporta e prejardhjes sonë, civilizimit përgjatë shekujve në brigjet e Adriatikut.
Ky muze ka një interes shumë të madh për t’u vizituar nga të huajt e shumtë, që këto ditë të nxehta korriku kanë zbarkuar nga shumë vende të botës. Së bashku me Amfitetarin Romak e Rotondën ai përbën trekëndëshin e artë të pikave më të vizituara prej të huajve.
Bledar Bica është një prej ciceronëve që shoqërojnë të huajt në këto objekte me vlerë të madhe arkeologjike. Ai tregon se interesi i të huajve është shumë i madh për të njohur objektet e lashta, kulturën dhe gjithë çfarë prezanton vendi ynë në stendat e Muzeut Arkeologjik.
Në krahasim me vitin e kaluar të ardhurat nga monumentet e kulturës së qytetit aktualisht janë rritur me 10% më shumë, sipas guidës pranë Drejtorisë së Monumenteve, Bledar Bica, e trendi në rritje do të vijojë.
Sipas specialistit Bica pjesa më e madhe e turistëve zgjedhin Durrësin për vlerat kulturore që mbart si qytet si edhe për të ndjekur shfaqjet artistike të cilat zhvillohen në ambientet e Muzeut Arkeologjik.
Për sezonin veror 2017 Bica parashikon fluks turistësh e vizitorësh nga vende të ndryshme të botës të cilëve iu ofrohet guida historike dhe didaktike për t’u plotësuar kërkesat që kanë dhe për t’i njohur me vlerat e trashëgimisë kulturore të Durrësit antik.
K.H.