Këto ditë të nxehta vere udhëtimi me autobus në qytetin e Durrësit është një tmerr i vërtetë. Përveç temperaturave përvëluese, mungesën e kondicionerëve në urbanët e pothuajse të gjitha linjave, autobusët tejmbushen nga njerëzit që ngjeshen pas njëri-tjetrit si në një kuti sardelesh.
Linja më problematike është ajo e Plepave për shkak të dyndjes së madhe të qytetarëve drejt plazhit. Ndërkohë që përveç vapës dhe të qëndruarit ngjitur me të tjerët, era e rëndë për shkak të tejmbushjes së autobusëve është e padurueshme.
Një qytetar ka dërguar në redaksinë e “DurrësLajm” një mesazh ku denoncon mungesën e transportit publik dinjitoz në qytetin bregdetar. Ja çfarë shkruan ai:
“Pershendetje portali durres lajme" dua te tregoj pak situaten ne urbanet e linjes se plazhit. Autobuze komplet jasht standarteve. Kondicioner as qe behet fjal dhe disa tipe autobuzash si ky qe do tregoj pak me posht kan vetem nje der per hyrje e dalje. Menyra e ajrosies jan vetem dera tek shoferi dhe dy dritare te vogla ansore. Ajri i rend nga djersa, parfumet, antidjersa na trullosin cdo mengjes kur ikim per pune. Kto jan sherbimet qe ne paguajm”.
Shpresojmë që ky problem të zgjidhet sa më shpejt, ndoshta duke vënë edhe një urban tjetër në shërbim të qytetarëve!
R.O.