Netët e nxehta të korrikut po shkojnë në pikun e tyre, duke  mbipopulluar Durrësin nga mijëra pushues e turistë.   

Shëtitorja “Taulantia” është kthyer në vendpushimin e qindra në mos mijëra njerëzve çdo natë. Jo vetëm pikë takimi e argëtimi për të rinjtë e të vegjëlit, por edhe një vend pushimi ku qytetarët ulen e thithin jodin e mbrëmjes.

Qindra persona kryejnë shëtitjen tradicionale, ndërsa për shumë të tjerë kjo shëtitore është një mundësi e mirë fitimi. Tregtarët e vegjël dhe ambulantët deri në orët e vona të natës janë aty duke shitur mallrat e tyre, ndërsa shumë qytetarë shëtisin buzë detit.

Në këtë zonë bregdetare të gjithë gjejnë veten. Piktorët amatorë janë aty për të pikturuar e shitur punët e tyre, aty janë edhe librashitësit.

Është një ritual që shoqëron të gjithë durrsakët e turistët çdo verë, shëtitja e mbrëmjes e qëndrimi para lokaleve luksoze.

Disa shijojnë akulloret, të tjerë kafenë, apo edhe gatimet e shijshme me bazë prodhimet e detit.

Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme që na sjell një tablo të jetës në qytetin e Durrësit gjatë pasditeve të vona të korrikut.

K.H.