E rikonstruktuar brenda parametrave olimpikë pishina “Taq Dafa” në Durrës pret javën e ardhshme 300 sportistë për kampionatin e të rinjve.

Sportistët e notit kanë nisur fazën përgatitore për kampionatin ndërkombëtar për të rinj dhe të rritur, që do të zhvillohet në pishinën e qytetit të Durrësit në datat 10, 11 dhe 12 korrik. Me pjesëmarrjen e 300 garuesve meshkuj dhe femra nga qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe Kosovës. Kjo garë do të zhvillohet me 5 seanca përgjatë tre ditëve për të nxjerrë ekipin më të mirë shqiptar dhe kosovar, të cilët në finale do të garojnë për të shpallur ekipin fitues. Profesori i notit, Gjergj Ngresi, u shpreh se ky kampionat do të zhvillohet për herë të parë në ujra të ëmbla, për faktin se marrin pjesë edhe sportistë nga vendi fqinj, çka e bën edhe më të veçantë konkursin.

Në këtë garë  do të marrin pjesë 35 sportistë nga Durrësi të grupmoshave të ndryshme, duke filluar nga 8 vjeç deri në 20. Sipas Ngresit, sporti i notit në qytetin bregdetar do të zhvillohet për faktin se kushtet për të ushtruar këtë sport janë përmirësuar me krijimin e pishinës së re, çka favorizon notarët për t’u stërvitur në çdo periudhë të vitit.

K.H.