Zëvendësi i ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, Hoyt Britan Yee, vlerësoi se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk do të arrijnë mesataren ekonomike të Bashkimit Evropian as për 30 vjet.
“Prioritet numër një duhet të jetë përparimi ekonomik. Shumica e vendeve të rajonit kanë rritje vjetore prej 3 ose 4%, por edhe me këtë rritje ose edhe me 6% nuk do të arrijnë mesataren e BE-së në tri dekadat e ardhshme”, tha Yee për javoren beogradase Nin.
Ai tha se SHBA nuk e mbyll njërin sy ndaj politikanëve të korruptuar në Ballkan, porse për zgjedhjen e tyre përgjegjës janë qytetarët.
Yee tha se një prej faktorëve më të rëndësishëm në Ballkan është bashkëpunimi me SHBA-në dhe BE-në, sepse kudo që është vepruar së bashku “ka pasur përparim”.
“Përpiqemi që bashkë me partnerët tanë të arrijmë qëllimet e përbashkëta”, tha Yee, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.
Sipas tij, SHBA ka dëshmuar se dëshiron që vendet e Ballkanit të bëhen më të qëndrueshme, më të zhvilluara dhe më të sigurta.