Lajm i mirë vjen për të gjithë studentët që studiojnë apo ata që do të bëhen pjesë e universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës.
Studentët nuk do të paguajnë më tarifë për provimet e mbartura që i japin për herë të parë. Po ashtu, është hequr edhe tarifa vjetore për studentët e viteve të katra e më lart, të cilët do të paguajnë vetëm tarifën përkatëse për lëndën e mbartur, pra ata nuk do të paguajnë më tarifën vjetore.
Kjo i jep fund problemit që shqetësonte shumë studentë, të cilët detyroheshin të paguanin të plotë tarifën e një viti studimi, megjithëse mund të kishin vetëm një lëndë të mbartur, të cilën duhet ta frekuentonin gjatë vitit pasardhës dhe po ashtu duhet të paguanin edhe një tarifë shtesë për të, si lëndë e mbartur kur të futeshin në provim.
Lajmin e bën të ditur vetë rektorja e UAMD-së Kseanela Sotirofski. Në një status në faqen e saj zyrtare në “Facebook”, Sotirofski informon gjithashtu se është miratuar edhe lista e studentëve që kanë aplikuar për përjashtim nga tarifa e shkollimit.