Giovanni Brusca, i njohur si krahu i djathtë i ish-bosit të “Cosa Nostra”-s, Toto Rina është liruar nga qelitë e burgut pas 25 vjetësh.

Brusca ka dalë nga burgu në moshën 64-vjeçare, ndërkohë që ai u bë bashkëpunëtor i drejtësisë, duke pranuar shumë prej vrasjeve, ku më e bujshme ishte pjesëmarrja e tij në masakrën e Capaci-t, ku u ekzekutua kryeprokurori i Antimafias, Giovanni Falcone.

Mediat italiene raportojnë se Giovanni Brusca la qelinë e burgut të Rebibbias në Romë, 45 ditë para se t’i përfundonte dënimi.

Apeli i Milanos ka vendosur që për 4 vite të jetë nën liri me kusht. Giovanni Brusca më 23 maj 1992, ishte në krye të aksionit të vënies së bombës në autostradën siçiliane në afërsi të qytezës së Capacit, ku u vra Prokurori i Antimafias, Giovanni Falcone, bashkëshortja e tij Francesca Morvillo dhe tre truproja të tij.

Giovanni Brusca ka pranuar gjithashtu autorësinë e vrasjes së 11-vjeçarit, Giuseppe Di Matteo, djali i Santino Di Matteo, ish-mafiozi që vendosi të bashkëpunojë me drejtësinë. Djali i ish-mafiozit të penduar u mbyt me litar dhe trupi i tij u shkri në acid.

Giovanni Brusca u arrestua më 20 maj të vitit 1996 dhe vendosi të bashkëpunojë me drejtësinë italiane, duke rrëfyer krimet e mafies siçiliane në Romë dhe Firenze pas viteve ’90.