Sërish një tjetër tërmet me magnitudë rreth 4 ballë ka tronditur kufirin e vendit tonë me Maqedoninë. Epiqendra nuk dihet akoma por është bërë e ditur se tërmeti është ndjerë në njësinë administrative Ostren i Madh, në Bashkinë Bulqizë, në komunën e Kërçovës edhe në Devoll.
Sipas raportimeve, të gjithë banorët e fshatit kanë dalë jashtë duke u lutur dhe shprehen se ndjehen shumë të frikësuar nga këto lëkundje të shpeshta. Lëkundjet zgjatën rreth 10 sekonda dhe janë ndjerë më shumë në disa qytete afër me kufirin maqedonas, ndërkohë që gjendja tashmë është normalizuar.
Rikujtojmë se lëkundje sizmike tërmeti janë ndjerë mesditën e së hënës në disa qytete të Shqipërisë, edhe pse epiqendra e tërmetit është regjistruar në fshatin Kosel, 12 km në verilindje të Ohrit në Maqedoni dhe 90 km nga Tirana.