Qyteti bregdetar i Durrësit, iu ofron pushuesve vendas si dhe të huaj, jo vetëm rrezet e nxehta të diellit, rërën përvëluese apo detin, por edhe kulturën e vlerat historike të një prej qyteteve më antike të Ballkanit.
Amfiteatri i Durrësit, Muzeu Arkeologjik, apo Torra Veneciane, mbeten ndër destinacionet më të preferuara për vizitorë të shumtë, të cilët nuk hezitojnë të njihen me kulturën e lashtë të qytetit bregdetar.
Objektet shekullore në Durrës kanë tërhequr jo pak vëmendjen e turistëve të huaj, të cilët tregojnë interes per t’u njohur me antikitetin e qytetit.
Sipas Drejtorisë së Monumenteve Kulturore në Durrës numri i turistëve të huaj si dhe vizitorëve të cilët gjatë qëndrimit preferojnë të vizitojnë monumentet arkeologjike, në krahasim me një vit më parë është rritur në 22 përqind më shumë.
Durrësi është një qendër e rëndësishme arkeologjike, një nga më të mëdhatë në Shqipëri, që e bën atë të jetë në qendër të vëmendjes së turistëve të huaj që vijnë të vizitojnë Shqipërinë.
Grupe të organizuara nga agjenci të huaja dhe shqiptare, vizitojnë shpesh Muzeun Arkeologjik, si një dëshmi e qartë e lashtësisë së prejardhjes tonë nga fiset ilire, objektet arkeologjike si amfiteatri i lashtë, i cili është edhe më i madhi në Ballkan, Torrën Veneciane, murin e kalasë, bukuroshen e famshme të Durrësit, Mozaikun e Arapajt.
Vendosja në qendër të vëmendjes si qytet i lashtë ilir, i jep Durrësit mundësinë që të jetë i vizitueshëm jo vetëm prej bregdetit të tij gjatë stinës së nxehtë, por gjatë të gjithë vitit si një qendër e pasur kulturore.
K.H.