Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka qenë ditën e sotme në Lushnjë, Patosë dhe Divjakë teksa ka realizuar një takim me demokratët e atjeshëm në kuadër të zgjedhjeve për kreun e PD.
Në fjalën e tij Basha ka përsëritur sërish se zgjedhjet e 25 prillit janë vjedhur, teksa e konsideron luftë për të rikthyer zgjedhjet në vend.
Basha theksoi se PD do të përdorë çdo instrument për të kthyer demokracinë dhe zgjedhjet e lira e të ndershme.
Sipas tij, PD doli në këto zgjedhje me program dhe vizion.
“Dolëm në këtë betejë me program, me vizion, me ofertë, përkundër një kundërshtari i cili përdori gjithçka në arsenalin e shtetit të bërë njësh me partinë duke përfshirë këtu edhe influencën e krimit të organizuar dhe paratë e derdhura lum nga ai dhe oligarkët.
Vëllezër dhe motra ishte ky bashkim i madh zemrash në radhë të parë i demokratëve dhe pastaj fronti më i gjerë opozitar që është krijuar ndonjëherë në 30 vite arsyeja që e shtyu edhe kundërshtarin politik të kryente vjedhjen më të madhe në 30 vite, masakrën më të rëndë zgjedhore në 30 vite.
Tani pas kësaj masakre ka rënë një perde e hekurt momentalisht mbi Shqipërinë. Nga ato perde që e rendisin vendin tonë përsëri në një shtet që nuk ka lidhje me demokracinë. “– tha Basha.





