*Vangjush Dako: Nisin punimet dhe gërmimet arkeologjike
Instituti i Monumenteve ka pezulluar prej muajsh punimet në shkollën nëntëvjeçare “Marie Kaçulini në Durrës”. I mbledhur me urgjencë, Këshilli Bashkiak i Durrësit me votat e PS-së e të LSI-së, kanë miratuar fondin prej 1.6 milionë lekësh që kërkon një kompani e specializuar për të zhvilluar gërmimet arkeologjike.
Kreu i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, në fjalën e shkurtër të mbajtur në Këshillin Bashkiak për këtë qëllim tha se pezullimi i punimeve u bë nga instituti i monumenteve të kulturës.
Prej pesë muajsh, punimet që nisën për ndërtimin e shkollës së re në qendër të Durrësit janë ndërprerë. Po kaq muaj ka pritur bashkia e Durrësit që Ministria e Kulturës të firmosë lejen arkeologjike për fillimin e punimeve për shkollën nëntëvjeçare “Marie Kaçulini” në qendër të Durrësit pranë pallatit të sportit, duke shtyrë kështu deri vitin tjetër mbylljen e punimeve në këtë shkollë.
Në fillim të 2017-s, godina ekzistuese u shemb për t’i lënë vendin ndërtimit të shkollës së re me vlerë 860 milionë lekë, nga buxheti i bashkisë së Durrësit. Por bashkia nuk kishte marrë lejen nga Instituti i Arkeologjisë për të zhvilluar punimet. Firma i nisi punimet me vrull duke shembur godinën e vjetër, por gërmadhat e godinës së vjetër janë po aty edhe pas katër muajsh, ndërkohë që afati për ndërtimin e shkollës është 240 ditë kalendarike, duke nisur nga janari i këtij viti.
Si rezultat, fillimi i punimeve nuk ka nisur ende pasi kërkohej edhe leja arkeologjike, duke bërë që afati për ndërtimin e shkollës të shtyhet.
Sipas kontratës që është lidhur me bashkinë, firma ndërtuese duhet të dorëzojë në fund të muajit gusht shkollën e përfunduar. Godina është planifikuar të jetë 3-katëshe me opsion për ndërtimin e një kati shtesë në të ardhmen. Sipas burimeve nga bashkia, afati i punimeve do të shtyhet deri në muajt e parë të 2018-s si rezultat i vonesave të krijuara nga Instituti Arkeologjik.
K.H.





