Katër gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese kanë vlerësuar se masa e sigurimit “arrest në burg” ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, është joproporcionale dhe cenon ushtrimin e mandatit të fituar përmes votës së qytetarëve.

“Vendimi nr. 57 i Gjykatës Kushtetuese nuk është një vendim thjesht procedural. Ai vendos në qendër një çështje thelbësore për shtetin e së drejtës: a mundet një masë sigurimi të bllokojë në praktikë ushtrimin e një mandati të fituar drejtpërdrejt nga qytetarët?

Përgjigjja që del nga vendimi është e qartë. Gjykata Kushtetuese e ktheu çështjen në Gjykatën e Lartë sepse kjo e fundit nuk i dha përgjigje të arsyetuar pretendimit për cenimin e proporcionalitetit të masës “Arrest në burg”, në raport me të drejtën e Erion Veliaj për t’u zgjedhur dhe për të ushtruar mandatin si Kryetar i Bashkisë së Tiranës. Por vendimi shkon edhe më tej”, thonë ata.

Katër gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, Fiona Papajorgji, Sonila Bejtja, Sandër Beci dhe Genti Ibrahimi, janë shprehur qartë se masa “Arrest në burg” ndaj Veliajt nuk është thjesht e paarsyetuar mjaftueshëm, por është joproporcionale në vetvete.

Ata theksojnë se kjo masë i ka pamundësuar Veliajt ushtrimin efektiv të detyrës për një periudhë të konsiderueshme, në raport me kohëzgjatjen e mandatit të fituar përmes zgjedhjeve vendore. Po ashtu, ata nënvizojnë se kufizimi nuk prek vetëm të drejtat individuale të Veliaj, por edhe të drejtën e qytetarëve të Tiranës për t’u qeverisur nga organi që kanë zgjedhur me votë.

Ata thonë se “Ky është thelbi kushtetues i vendimit: masa “Arrest në burg” nuk mund të kthehet në një mekanizëm që neutralizon në praktikë një mandat të fituar me votë, kur nuk provohet bindshëm se asnjë masë tjetër më pak kufizuese nuk do të garantonte interesin publik të procedimit penal.

Pas këtij vendimi, Gjykata e Lartë nuk e ka më luksin ta anashkalojë thelbin, për sa kohë katër gjyqtarë të Kushtetueses kanë thënë qartë se “Arresti në burg” ndaj Erion Veliajt është joproporcional, sepse bllokon ushtrimin e mandatit të fituar me votë. Çdo vendimmarrje e re duhet të përballet drejtpërdrejt me këtë konstatim kushtetues.

Në një demokraci kushtetuese, vota e qytetarëve nuk mund të zhbëhet si pasojë anësore e një mase sigurimi. Një kufizim i tillë kërkon arsyetim të rreptë, prova konkrete, individualizim të rreziqeve dhe shqyrtim real të masave më pak kufizuese.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese e ka vendosur standardin. Tani ky standard duhet zbatuar.”