Duke nisur nga dita e sotme, aboneja e përgjithshme me vlerë 16 mijë lekë të vjetra do të pezullohet për tre muaj. Nga 1 qershori, bashkia do të riorganizojë itineraret, frekuencat e lëvizjes dhe kushtet e shërbimit të transportit publik për udhëtarët.

Enton Punavija, drejtor i Transportit, ishte në një lidhje “Skype” me emisionin “Breaking”, për të sqaruar më tej të gjithë qytetarët e Tiranës për këtë ndryshim të ri.

I pyetur se pse është marrë ky vendim, Punavija u shpreh “se sektori i transportit publik ka qenë një ndër sektorët më të goditur nga pandemia”.

“Deri në fundin e vitit të kaluar kemi analizuar ecurinë e këtij sektori pas lirimit të masave Covid-19, e ku pati një rritje graduale. Por kjo nuk u reflektua në të gjitha linjat e transportit publik, i cili është një shërbim jetik për qytetarët. Si pasojë, Bashkia e Tiranës duhet të merret me riorganizimin e këtij sektori. Për të kuptuar edhe masat që mund të merren në vijim. Duhet të shikojmë nëse një linjë duhet të funksionojë në parametrat që ka pasur, apo ndonjë linjë duhet të bashkohet me ndonjë tjetër. Disa linja transporti janë gati në mbyllje. Bashkia ishte e detyruar që ta kërkonte këtë pezullim të abonesë së përgjithshme”, tha drejtori i Transportit.

Punavija sqaroi se në shtator do të rikthehen abonetë e përgjithshme dhe ato të studentit.

“Abonetë rikthehen në kushtet siç ishin deri tani. Në momentin që shkollat hapen janë edhe abonetë e studentit. Qershor, korrik dhe gusht nuk do të ketë. Në shtator rikthehemi në kushtet e mëparshme”, tha Punavija.

I pyetur nëse ky vendim është më shumë në favor të operatorëve, drejtori i Transportit i shpreh se nuk ka qenë kërkesë e tyre pezullimi i aboneve të përgjithshme.

“Ka qenë kërkesë nga Bashkia e Tiranës për këshillin bashkiak. Në tërësinë e vet, mund të ketë operator që nuk janë korrekt me kontratën që kanë firmosur. Bashkia mund të marrë masa drastike deri në mbylljen e një linje, nëse nuk funksionon brenda kontratës që kishin para pandemisë”, tha Punavija.