Edhe pse kjo është nga ato të vërteta që nuk do të donit t'ua thonte askush, madje të mos ia thonit kurrë vetes qoftë me zë të ulët, por keni pak celulit. Ndoshta jo pak, por shumë dhe nuk ka asgjë për t'u turpëruar. Shtatzënia, çrregullimet hormonale dhe luhatjet në peshë janë disa prej shkaqeve kryesore që çojnë në shfaqjen e tij. Celuliti shfaqet nën lëkurë si pasojë e kontraktimit të indeve lidhëse të muskujve. Ai njihet ndryshe edhe si lëkura e portokallit dhe është një problem estetik që prek shumë femra dhe trajtimi i tij në qendra estetike mund të mos jetë gjithmonë i suksesshëm, përveç se i kushtueshëm sa qimet e kokës. 'Living' ju njeh me tre hapa të thjeshtë që zbehin shenjat e celulitit dhe përgatisin trupin tuaj para sezonit të plazhit.
Hapi i parë : Pini sa më shumë ujë
Hidratimi gjatë këtyre ditëve të nxehta jo vetëm që i siguron lëkurës ''frymëmarrjen'' që i nevojitet dhe eleminon toksinat nga organizmi, por ka një efekt surprizues kur bëhet fjalë për reduktimin e celulitit. Duhet ta bëni pjesë të rutinës suaj ditore pirjen e gati 3 litrave ujë në ditë. Shtoni lëng limoni dhe rrënjë xhinxheri në kanë ose shishe për të forcuar veprimin detoksifikues të ujit.
Hapi i dytë : Masazh i përditshëm me mbetjet e kafesë
Kafeina zgjeron enët e gjakut dhe tendos indet e jashtme të lëkurës. Duke e përdorur në lëkurë, ajo ndihmon trupin të nxjerrë jashtë toksinat dhe të shkrijë yndyrat. Mund të bëni një maskë shumë të thjeshtë për trajtimin e celulitit: mjafton të kombinoni mbetjen e kafesë me disa nga vajërat tuaj të preferuara, vaji i ullirit ose vaj bajamesh dhe masazhoni zonën ku keni celulit. Para se të bëni këtë trajtim lahuni me ujë të ngrohtë që të hapni poret e lëkurës. Masazhimi duhet të zgjasë jo më pak se 30 minuta dhe duhet bërë çdo ditë për një muaj me radhë. Përdor furçën në zonat ku ke celulit, kofshët, barku, vithet dhe përpiqu ta bësh këtë në mëngjes dhe në darkë.
Hapi i tretë : Regjim ushqimor i pasur me bazë proteinash
Dietologët dhe instruktorët e palestrave theksojnë gjithmonë rëndësinë e një diete të pasur me perime dhe fruta në ''luftën'' kundër celulitit. Hiqni dorë nga brumërat, ushqimet e përpunuara dhe mishi i kuq. Vendin e tyre duhet ta zënë perimet si domatja, specat, kastraveci, drithërat integrale dhe frutat e stinës. Kujdes, nuk duhet të konsumoni më shumë se 150 gramë fruta në ditë.