Përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Ivi Kaso ka reaguar për mediat pas vendimit të Kolegjit Gjyqësor Zgjedhor për të rrëzuar paditë e partive opozitare për pavlefshmërinë e zgjedhjeve në qarkun e Vlorës.

Kaso thotë se këto vendime nuk e dekurajojnë PD dhe opozitën, ndërsa garantoi se beteja do të vijojë për sa kohë të ketë një Gjykatë ku opozita të ankohet dhe misioni për transparencë mbetet i pandryshuar.

“Pati debat të gjatë për domosdoshmërinë e administrimit të provave, përpara dhe përgjatë. Me keqardhje them se është shans i humbur, por nuk dekurajohemi. Çdolloj shkelje të ligjit e cila e ka influencuar dhe deformuar vullnetin e zgjedhësve. Është bërë e njohur që shqiptarët nuk votuan dot të lirë e të shpreheshin të lirë me votë. Unë e kam thënë dhe më parë, detyrimin për transparencë e kemi jo vetëm për ata që na besuan. Procesi zgjedhor duhet të çlirohet nga gjithë fenomenet negative. Detyrimi për transparencë vijon të jetë i pandryshuar, përsa kohë të kemi një Gjykatë për t’u ankuar, do i shkojmë deri në fund për të hedhur dritë mbi çdo lloj shkeljeje.”– tha Kaso.