Shoqata “Udhëtim i Lirë – Liberi di Viaggiare” ka filluar më 31 maj ditën e parë të ciklit 5 ditor të trajnimit të trajnerëve (TOT) në kuadër të projektit “Invisible ForeWomen” në bashkëpunim me partnerët URI-MENA nga Jordania, Association for Developing Voluntary Work Novo Mesto (DRPDNM) nga Sllovenia, Tokat Economic Development and Vocational Training Association (TEKMED) nga Turqia dhe Have a Dream nga Egjipti. Projekti financohet nga Anna Lindh Foundation dhe Bashkimi Evropian.

Qëllimi i projektit “Invisible ForeWomen” është fuqizimi i grave të margjinalizuara nga: Shqipëria, Sllovenia, Jordania, Turqia dhe Egjipti dhe përfshirja e tyre në jetën social-kulturore.

Në kuadër të projektit 9-mujor janë realizuara një sërë aktivitetesh si: pyetësorët për të parë nevojat dhe kërkesat që kanë gratë e margjinalizuara nga 5 shtetet e përfshira; përgatitja e Toolkit (Manual trajnimi) me informacione bazë të cilat do të ndihmojnë gratë dhe vajzat të zhvillojnë aftësitë e tyre.

Pas përfundimit të këtij, trajnimi gratë dhe vajzat do të pajisen me certifikatë dhe do të zhvillojnë trajnime në vendin e tyre respektiv. Në total do të jenë 175 gra të trajnuara nga të 5-ta shtetet. Projekti do të përfundojë në muajin gusht me një konferencë ndërkombëtare në Jordani ku gratë nga vendet partnere do të bëhen bashkë për të treguar aftësitë, talentet dhe kompetencat e tyre.

Gratë dhe vajzat e përfshira në projekt kanë qenë pjesë e procesit të implementimit që në fillim dhe po vijojnë ta ndjekin atë me interes hap pas hapi deri në përfundim. Në të njëjtën kohë po e shohin projektin si një mundësi të mirë për rrjetëzim dhe bashkëpunim.