Kryeministri Edi Rama ka qenë sot në një inspektim në spitalin e Fierit, i cili tashmë ka nisur të ofrojë shërbim për qytetarët.

Në këtë spital janë kryer 100 konsultat deri më tani si dhe dy operacione, ndërsa 18 pacientë janë të shtruar.

Kreu i qeverisë u ndal në një dhomë ku vizitoi një pacient, ndërsa ky i fundit nuk i kurseu lëvdatat për stafin mjekësor dhe kushtet e spitalit të ri. Rama nuk e kurseu humorin, ndërsa tha “po këtë pse e mbani se ky qenka në super formë”.

“Unë jam i sëmurë o kryeministër po do shërohem po ti të na rrosh, e stafi juaj, këtu qenka fantastike, qenkan florinj, punëtorë e shumë pastërti”, -i tha pacienti.

Ndërkohë që vizitoi qendrën e rezonancës, Rama tha se pacienti që po e kryente vizitën kishte të njëjtin problem si ai vetë.

“Hernia diskale, qenka si unë se dhe unë e kam”.

“Ua bëjmë që tani rezonancën, kur të doni”, iu drejtua shefi i përgjithshëm Ramës, gjë që shkaktoi të qeshura.

“Mirënjohës për personelin turk, dua tu them që dhe në diskutimin që kam bërë me presidentin që në fillim kjo s’është thjesht cështje e një spitali apo shërbimi më shumë por transferim i dijes mbi të gjithë e në një farë mënyrë misioni juaj është i dyfishtë dhe për të shërbyer por dhe për t’u përcjellë kolegëve shqiptarë dijen e eksperiencën tuaj, duam që ky spital të jetë si qendër e transferimit të dijes dhe për spitale të tjera”, tha Rama.