Lidhja Demokratike e Kosovës hedh poshtë ftesën e bërë publike nga kandidati për kryeministër i koalicionit PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj për krijimin e një koalicioni të madh.
Me anë të një qëndrimi zyrtar, LDK thotë se përjashton çdo mundësi bashkëpunimi dhe nuk ulet për të diskutuar me askënd që ka për qëllim ta mbajë PDK-në në pushtet.
Edhe dy deputetë të të ashtuquajturit “Koalicioni i Luftës” kërcënuan me bashkim me Vetëvendosjen nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre. Haxhi Shala i Nismës për Kosovën dhe Anton Berisha nga AAK-ja deklaruan se do te dalin nga koalicioni pasi koalicioni paszgjedhor me i arsyeshëm do të ishte ai mes “Vetëvendosjes” dhe AAK-së.
Një ditë me parë themeluesi i Vetëvendosjes dhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti, u shpreh i gatshëm të formojë qeverinë e re të Kosovës, së bashku me LDK- AKR-Alternativa të cilët u renditën të tretët në zgjedhje.
Koalicioni parazgjedhor PDK-AAK-Nisma pritet të marrë 39 mandate, bazuar në 34% të votave të përgjithshme. Me mbi 27% te votave, Vetëvendosja pritet të konfirmoje 31 mandate në parlamentin e ardhshëm me 120 deputetë. Ndërsa LDK-AKR-Alternativa, të renditur të tretet me 25,7 % të votave, do të zënë 30 vende në Kuvendin e Kosovës.