Kandidati për Kryeministër në koalicionin mes PDK-së, AAK-së dhe Nismës, Ramush Haradinaj, ka thënë se rezultati i zgjedhjeve të 11 qershorit prodhoi një situatë të re politike në Kosovë, megjithëse shprehu bindjen se ai do të jetë në gjendje që të krijojë qeverinë e re me mbështetjen e forcave të tjera politike shqiptare.
“Unë po punoj për të formuar qeverinë. Qeveria “Haradinaj” do të ketë përkrahjen edhe të deputetëve të tjerë shqiptarë. Koalicioni me parti të tjera është i mundur. Nuk kemi bërë ende konsulta, por është i mundur”, tha Haradinaj për Top Channel.
Sipas Haradinajt, qytetarët janë të pakënaqur nga mënyra sesi janë qeverisur deri më tani dhe këtë e tregoi edhe vota e së dielës, ku partia që drejtoi qeverinë paraardhëse u ndëshkua më ashpër.
“Është krejtësisht rrethanë e re politike në vend, edhe vetë grupimet janë risi, pra edhe koalicioni ynë ishte një risi dhe kështu skena politike ka pësuar ndryshim të madh. Kemi fituar zgjedhjet, jemi rreth 10 përqind përpara nga vendi i dytë, por Vetëvendosje ka një rritje, por ama ka një rënie të LDK-së. Ky është realiteti”, ka thënë ai.
Haradinaj ka shtuar se në rang vendi, koalicioni i tyre ka pësuar rritje. Ai tha se koalicioni është solid, ndërsa vetë synon që t’i japë Kosovës një qeverisje që e quajti “të veprimeve”.