Po shkon drejt përfundimit investimi për rrjetin dytësor dhe tretësor të kanalizimeve të ujërave të zeza në plazhin e Durrësit. Projekti në fjalë kap vlerën e 7.8 milionë eurove dhe ka nisur të zbatohet në janar të vitit të kaluar. Tashmë në terren janë kryer afro 90 përqind e punimeve, ndërkohë që deri në fund të këtij viti pritet të përfundojë edhe lidhja e banesave dhe bizneseve  me kolektorin që i dërgon ujërat e ndotura në impiantin e Shënavlashit. Inxhinieri i Ujësjellës Kanalizimeve Durrës, Bledar Metalla, shprehet se aktualisht ka përfunduar lidhja e të gjitha banesave dhe bizneseve nga krahu i detit dhe tashmë ajo zonë është tërësisht e përfunduar dhe nuk ka shkarkime të ujërave të zeza në det.

Investimi në fjalë po kryhet me fonde të Bankës Botërore dhe përfshin zonën nga Ura e Dajlanit deri në Plepa si dhe zonën nga Plepat deri te Përroi i Agait. Në këtë zonë është parashikuar që të realizohet edhe lidhja me rrjetet përkatëse e të gjitha ndërtesave, mbi dhe nën autostadë deri në det, objektet e banimit dhe shërbimeve turistike që kanë funksionuar përgjithësisht me gropa septike dhe pjesërisht me rrjetin e amortizuar. Në total projekti parashikon hapjen e rreth 27 km rrjet të ri dytësor dhe tretësor si dhe ndërtimin e 1200 pusetave duke bërë të mundur grumbullimin e të gjitha ujërave të zeza të 521 objekteve të banimit dhe shërbimit, pra totalin e zonës së plazhit dhe më pas t’i përcjellë ato nëpërmjet kolektorit të ujërave të zeza nga përroi i Agait tek impianti i trajtimit të ujërave të ndotura në Shënavlash. Në këtë pikë fundore, ujërat e ndotura pastrohen në impiant, i cili funksionon në përputhje me parametrat teknike dhe higjenike evropiane.

K.H.