Të gjithë besimtarët katolikë festojnë sot Natën e Shën Ndout, ndërsa qindra njerëz të feve të ndryshme do t’i drejtohen Kishës së Shna Ndout në Laç.
Mbarësi, shëndet, paqe e lumturi është lutja e çdo besimtari që për 12 të marta kanë ngjitur shkallët e kishës me qirinj në duar dhe me shpresë tek toka e shenjtë.
Nesër është e marta e 13-të, e cila do t’i gjejë besimtarët që prej mesnatës në Kishën e Shna Ndout, përkrah njëri-tjetrit duke kaluar një natë në tokën e mrekullive të mëdha.
Të shumta janë mrekullitë të cilat njerëzit ia dedikojnë këtij vendi të shenjtë që pret në çdo ditë të vitit myslimanë e të krishterë.
Po cili është historiku i 13 të martave?
“Tradita e 13 të martave fillon në shekullin e XVII. Ishte një grua nga Bolonja e cila për 9 të marta i drejtohet Kishës së Shna Ndout dhe pas 9 të martave ka një dhuratë shumë të madhe prej zotit, ka një fëmijë të cilin e dëshironte prej 20 vitesh. Edhe kur lind fëmija, i lind sakat, i paralizuar. Ajo nuk dëshpërohet, por i lutet sërish Shna Ndout dhe pas kësaj fëmija shërohet. Prej 9 të martave ndërron tradita dhe bëhen 13 të marta. Kjo për arsye se në 13 qershor ka vdekur Shën Ndou dhe data 13 kthehet e bëhet 13 të marta. Kam shumë raste kur njerëzit vijnë dhe bisedojnë këtu se kanë gjetur shërim. Janë kthyer dhe kanë gjetur punë. Njerëz që kanë ardhur me një depresion, janë kthyer me një shërim të fortë shpirtëror. Nuk është diçka e rastësishme që njerëzit grumbullohen në një vend të shenjtë. Pse Zoti e ka zgjedhur këtë vend? Është mister. Shën Vlashi dha jetën e vet në këtë vend, sigurisht gjaku i tij nuk ka shkuar kot”, është shprehur Frat Mirash Martini.