Koalicioni rreth Lidhjes Demokratike të Kosovës, me në krye ish-ministrin e Financave, Avdullah Hoti, ka përmbyllur fushatën me porositë se fitorja e koalicionit të tyre nënkupton çlirimin e Kosovës dhe një rrugë të re të saj.
Ky koalicion premton se nuk do të dalë nga rruga e ish-presidentit Ibrahim Rugova.
“Unë jam i nderuar dhe i vendosur për të çuar këtë projekt përpara. Jam i nderuar për besimin që më është dhënë, për të finalizuar projektin e presidentit Rugova”, tha Avdullah Hoti, kandidat për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa.
LDK-ja, bashkë me biznesmenin kosovar Behgjet Pacolli dhe grupin e ri politik “Alternativa”, pretendojnë se janë lista e ekspertëve të dëshmuar dhe programi i tyre gjatë fushatës ka qenë për reforma në ekonominë e Kosovës. Ky koalicion ka premtuar edhe dyfishimin e buxhetit të Kosovës për një mandat.