Procedura e apelimit kundër vendimit për të paguar një gjobë është parashikuar në nenin 289 të Kodit Doganor. Sipas burimeve zyrtare nga drejtoria e përgjithshme e Doganave, një operator ekonomik për të mundësuar një procedurë sa më të saktë apelimi, duhet të ndjekë disa hapa.

Brenda 5 ditëve nga marrja e njoftimit në lidhje me vendimin për një gjobë ndaj tij, operatori ekonomik duhet të paraqesë një kërkesë – ankimore me shkrim pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.

Kjo kërkesë ankimore duhet të përmbajë, një përshkrim të detajuar të ngjarjes për të cilin subjekti ankohet. Kërkesa ankimore duhet të evidentojë:

-Gjeneralitetet e Operatorit ekonomik që po ankohet;

-Lëndën me përcaktimin kërkesë- ankimore;

-Numrin dhe datën e vendimit ndaj të cilit bëhet ankimi;

-Gjeneralitetet e strukturës së Administratës Doganore që e ka marrë vendimin;

-Llojin e shkeljes së kryer dhe bazën ligjore referuese për daljen e vendimit;

-Arsyet e operatorit ekonomik përse nuk është dakord me vendimin;

-Bazën ligjore në të cilën ai mbështetet;

-Adresën ku e pret përgjigjen e kësaj kërkese.

Kërkesa ankimore nuk do të merret në shqyrtim nëse operatori ekonomik nuk ka kryer:

Pagesën në masën 100% të Detyrimit Doganor;

Pagesën 40% të gjobës (me kusht që ajo të mos jetë më e madhe së shuma e detyrimit doganor të papaguar).

Mosplotësimi i këtyre kushteve sjell si pasojë mos shqyrtimin e kërkesës ankimore nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave.

Lista e dokumenteve që duhet t'i bashkëlidhen kërkesës ankimore:

-Fotokopje të dokumentit bankar me të cilin të vërtetohet kryerja e pagesave.

-Fotokopje të Deklaratës Doganore/ sipas regjimit;

-Fotokopje të Faturës;

-Dokumentet e transportit;

-Deklaratën e eksportit;

-Kontratat e furnizimit;

-Çertifikatën e cilësisë;

-Çertifikatë Klasifikimi Tarifor nga Laboratori Kimik Doganor;

-Dokument tjetër specifik sipas rasteve specifike.